Kërkojmë që Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për çmilitarizimin e zonës së Çernobilit dhe futjen atje të një misioni special të OKB-së për të eliminuar rrezikun e përsëritjes së një katastrofe bërthamore, deklaroi sot zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshcuk. Vereshcuk tha se sipas forcave të armatosura të Ukrainës ekziston rreziku i shpërthimit të municioneve në centralin bërthamor të Çernobilit dhe se forcat ruse që pushtuan centralin duhet të tërhiqen nga zona.
”Pushtuesit kanë menduar ngritjen e një depoje municionesh pranë centralit bërthamor të Çernobilit”, shpjegon Vereshcuk duke kujtuar se një depo e tyre municioni shpërtheu afër Belgorodit, në Rusi, por, sipas tyre, për shkak të faktorëve njerëzorë.
”Çfarë do të ndodhë nëse një depo e tillë do të shpërthejë pranë centralit bërthamor të Çernobilit për shkak të një faktori të tillë njerëzor? Një përsëritje e 1986?”, pyeti zëvendëskryeministrja. ”Prandaj, ne përsërisim thirrjen tonë për liderët botërorë dhe për Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të çmilitarizuar menjëherë zonën e Çernobilit”, theksoi ajo.