Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të bizensit të vogël, të çilëve u shpjegoi kategoritë që përfitojnë nga Paketa e Rezistencës Sociale, duke u ndalur edhe në përfitimet e secilës kategori, si dhe duke shpjeguar arsyet pse qeveria ka zgjedhur t’i përgjigjet në këtë mënyrë situatës së krizës së çmimeve të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Gjatë fjalës së tij, në prani të përfaqësuesve të bizneseve të vogla në vend, Kryeministri tha se: “Në vendet e tjera nuk ka askund biznes të vogël me taksë zero, siç është ky biznesi këtu. Biznesi i vogël është aleati më i madh i qeverisë shqiptare. Për 95 mijë biznese të vogla ne kemi bërë atë që s’e ka bërë askush, as në Europë e as në botë. Zero taksa, zero TVSH, zero tatim fitimi.

Me një tavan shumë më të lartë, se deri dje tavani ishte 80 milionë të vjetra xhiro, sot tavani është 140 për pa tatim fitimi dhe 100 milionë xhiro për pa TVSH dhe plus kësaj ne i mbrojmë biznesit të vogël faturën e energjisë, se do të ishte goditje”.

Kryeministri shtoi se edhe sa i përket individëve në Shqipëri, ata janë po ashtu të mbrojtur nga ana financiare, sidomos me uljet e fundit të taksave që janë vendosur nga qeveria.
“Individët kanë tatimet më të ulëta mbi pagat në rajon, nuk diskutohet se në Europë as bëhet fjalë, që do të thotë edhe me uljet e fundit që bëmë tani, kush punon sot në banak nëse ka një page 400 mijë lekë të vjetra, sot paguan 13% e tatimit bashkë me shefin. Nuk do paguajë më, do e ketë zero.

Atë 400 mijëshe do ta marri dhe përveç kontributit për sigurimin e vet shoqëror dhe shëndetësor, që janë më të ulëtat në rajon, se prap s’po diskutoj Europën, do ta çojë në shtëpi. Kush është këtu kryekamarier apo menaxher që mund ta ketë 500 mijë lekë do të ketë gjysmën e taksës që ka sot, i bie në 7%, i paguar së bashku me pronarin”, deklaroi Rama.

Ai shpjegoi se përse nuk bënte dot qeveria ndërhyrje në çmimin e naftës, duke zgjedhur të hartojë një paketë për të ndihmuar shtresat më vulnerabël nga rritja e çmimeve të shportës.
“Duke pasur këtë strukturë, si mundet tani të heqësh edhe taksat e naftës, që sjellin një të ardhur të rëndësishme në buxhet, ndërkohë që nga e ardhura e rritur në buxhet, për shkak të rritjes së çmimit, është bërë gjithë kjo paketë që i kthehet prap njerëzve dhe më shumë se kaq.
Nuk ia kthejmë atyre që kanë fuoristrada, ia kthejmë njerëzve që janë më pak të mbrojtur sot. Ia kthejmë biznesit të vogël, s’ka taksë mbi fitimin, s’ka TVSH dhe s’ka faturë të rritur energjie.

Me pjesën tjetër, i japim mbi gjysëm milioni individëve, 30 mijë lekë plus të vjetra për 3 muaj. Janë ca që thonë, pse me 30 mijë lekë? Sepse llogaria e bërë për rritjen e çmimeve të shportës, produktet bazë është 25 mijë lekë, mesatarja e nxjerrë nga INSTAT, që do të thotë me këtë 30 mijë lekësh ne garantojmë ushqimin.
Garantojmë që çdo pensionist, nga ato kategoritë që kemi zgjedhur, që nga pensionisti invalid deri tek ata që janë çift, jo me fëmijë që i mbajnë, të mos ketë problem ushqimin, për shkak të goditjes nga kriza e çmimeve. Që asnjë invalid, asnjë paraplegjik, asnjë tetraplegjik, asnjë i verbër, asnjë familje në ndihmë ekonomike të mos ketë problem këtë rritjen”, shtoi Kryeministri Rama.