Kryeministri Edi Rama i është drejtuar sërish qytetarëve shqiptarë duke shpeguar përse situata me rritjen e çmimeve ishte jashtë kontrollit të qeverisë, duke qënë se komandohet nga tregu ndërkombëtar, ku po përjetohen pasojat e luftës së nisur nga Rusia kundër Ukrainës.

“Sikur të mos mjaftonte taksirati i luftës, na duhet të komunikojmë sepse këtu tek ne si asnjë vend tjetër i botës demokratike që po përjeton të njëjtat pasoja, kemi të bëjmë edhe me një kërdi turpi.

Do ta përsëris këtë sa here të më jepet mundësia, sepse që nga protesta e pare e fillimit të zgjimit të Shqipërisë pluraliste ka pasur lloj-lloj protestash, ka pasur edhe protesta të dhunshme, ka pasur edhe protesta që kanë degraduar në një formë apo një tjetër” tha Kryeministri.

Rama ka reaguar edhe një here ndaj protestave, duke deklaruar se është e turpshme dhe e pakuptueshme të protestohet ndaj qeverisë, e cila që në ditët para krizës ka paralajmëruar se do të vijë duke marrë masa për të penguar qytetarët të ndjejnë barren në kërcimin e çmimit të energjisë elektrike.

“Protestë të tillë më të turpshme nuk ka pasur ndonjëherë. Dhe reagimi në mbrojtje të kësaj proteste më të turpshëm, nuk ka pasur e s’ka si të ketë për arsye se ‘për çfarë protestohet sot? Ndaj kujt protestohet sot?’ Të gjitha vendet po përjetojnë rritje të çmimeve të energjisë, që këtu po përjetohet sepse askush nuk po paguajnë asnjë qindarkë më shumë. Po të çmimit të naftës, po të çmimeve të shportës? Po protestojnë, por kundër shkaktarit që është Rusia, nuk ka dale askush të protestojë kundër qeverisë së vet.

Sepse çdo qeveri, përfshirë edhe kjo mund të ketë një mijë e një arsye për të protestuar, por asnjë qeveri, përfshirë edhe këtë tonën nuk është një arsye për të protestuar sot, për shkak të pasojave që ka sjellë në çmimet e shportës dhe të karburantit, një luftë që nuk e ka nisur dhe nuk e ndal dot kjo qeveri.

Dikush nga frymëzuesit e kësaj proteste tha një shprehje që i thotë të gjitha ‘nuk duhet të lëmë këtë rast të na shpëtojë, se po na shpëtoi edhe kësaj here nuk e kapim dot’. Të shpëtojë kush? Unë? Qeveria? Ç’lidhje ka qeveria me rritjen e çmimeve të produkteve në mënyrë lineare në të gjithë botën?

Mua nuk më shqetëson protesta, protesta është ajo që është, edhe të ishte 300-fish, taksat e karburanteve nuk do të lëvizin sa të jetë kjo qeveri. Ajo që më alarmon është cënimi i drejtpërdrejt i dinjitetit tone si vend, si shtet, si komb, si shoqëri, si shqiptarë nga ky reagim.

Ky reagim mund të rrëzojë vetëm ata që e nxisin dhe ata që janë në Kremlin, njeri tjetër ky reagim nuk ka si të rrëzojë. Nëse hipotetikisht do të ishim në muajin e tretë-katërt të luftës dhe të goditjes së çmimeve dhe nivelit të jetesës, do të ishim në kushte shumë më të vështira se sot dhe qeveria nuk do të kishte bërë asgjë, do të ishte normale.

Por kur qeveria nuk e ka pritur luftën, megjithatë që kur u shfaq kriza energjitike, ka vepruar për ta mbajtur ajo barren e krizës dhe për të mos e rritur çmimin e energjisë në faturën e 726 mijë familjeve dhe 95 mijë bizneseve të vogla dhe kur qeveria e ka thënë publikisht këtë, atyre që sot protestojnë i dukej si lojë e imja”, deklaroi Kryeministri.

Më tej, Kryeministri shtoi se qëllimi i vetëm i kësaj proteste, në optikën e tij, është shfrytëzimi i kësaj situate të vështirë për qëllime të ulëta politike.

“Ne kemi vazhduar t’i qëndrojmë atij vendimi, edhe pse çmimi i energjisë në botë ka vajtur aty ku nuk imagjinohej. Dhe kur qeveria vetëm pak ditë pasi ndeshet si e gjithë bota me kërcimin e çmimeve dhe thotë brenda javës do ju njohim me masat që do të marrim, pse duhen marrë rrugët dhe investuar masivisht para në internet për të derdhur helm, për të përhapur panik e për të ngritur një re të zezë pasigurie dhe mërzie mbi renë që ka krijuar kjo situatë¸ përveçse qëllimeve të ulëta politike duke mishëruar atë fjalinë ‘po na shpëtoi edhe kësaj radhe nuk e kapim dot’”, tha Kryeministri Rama.