Nga Skënder Minxhozi
Përtej batutës, faktikisht nuk ka ndonjë rëndësi as sesi voton në 6 mars Shkodra, Durrësi apo bashkitë e tjera në radhë. Nesër mbahen zgjedhje vendore të cilat kanë qysh tani një mandat të cunguar. Votohen kryebashkiakë por jo njësi vendore, votohen zyrtarë që do të kenë vetëm një vit mandat, e jo më tepër.
Nëse këtyre arsyeve ju shton edhe temën madhore që ka zënë jetët e evropianëve këto ditë, konfliktin e rrezikshëm ukrainas, me pasoja për të gjithë kontinentin dhe botën, zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit tkurren edhe më tepër akoma nga pesha dhe interesi.
E vetmja rëndësi e zgjedhjeve të 6 marsit është që opozita të zgjidhë hierarkinë e forcave brenda kampit të vet, sipas skemës “prindi 1-prindi 2”. Berisha apo Basha, kjo është çeshtja. Përtej humorit, këto zgjedhje janë një test relativisht i rëndësishëm për të përcaktuar sesa vlen pas 8 janarit Sali Berisha dhe Lulzim Basha brenda kampit opozitar. Përveç këtij kurioziteti, këto zgjedhje ofrojnë pak ose aspak impakt në ecurinë e punëve në këtë vend.
Zgjedhjet e të dielës mbahen tani, e jo në momentin që duheet të ishin mbajtur, sepse kështu vendosi Ilir Meta, me qëllim që t’i japë njëdorë Foltores, pas rënies së zhurmshme të 8 janarit. Berisha shpreson që me marrjen e Shkodrës apo Dibrës, të rimarrë diçka nga kuotat e humbura në ditën kur e sulmoi me sëpata e shkallë zjarrfikësish partinë e vet. Është e vështirë të besohet se një fitore e tillë më shumë simbolike sesa me ndonjë peshë në kandarin kombëtar të forcave, ta përmirësojë disi pozitën e Doktorit brenda të djathtës.
Lulzim Basha nuk e ka aspak merak rezultatin e 6 marsit. Përballja e tij e vërtetë ka qenë në 8 janar, jo nesër. I mësuar me humbjet seriale, ai e ka gati justifikimin: na sulmoi Berisha prandaj humbëm! Zgjedhjet e të dieles nuk do ta nxjerrin Lulin nga selia dhe as do t’i japin në duar Doktorit vulën e partisë. Ai tren duket se a kaluar tashmë.
Zgjedhjet e pjesshme lokale janë diçka më shumë se një sondazh nga ata që televizionet zhvillojnë çdo javë për emisionet e tyre të debatit. Lufta në Ukrainë i ka dhënë goditjen e fundit një procesi elektoral të tkurrur e pa peshë qysh në krye të herës.
Relativizimi që temat e brendshme shqiptare pësuan pas pushtimit rus në Ukrainë, ka qenë një “eksperiment social” unik ëshë për ne shqiptarët, që shpesh jetojmë të mbyllur në sferën tonë provinciale të halleve e krizave, të pakujdesshëm për faktin që jetojmë në një botë globale, ku një bombë e hedhur në rrugët e Kievit oshëtin deri në dyert e shtëpive tona.
Kur digjet Ukraina, s’ka rëndësi sesi voton Rogozhina, Shkodra apo edhe Durrësi. Rreziku i sigurisë dhe paqes tejkalon çdo proces tjetër që i përket jetës normale.