Nga Arbër Hitaj/
Në një dalje tjetër mediatike, Monika Kryemadhi për t’i rikthyer lavdinë e humbur LSI-së lëshoi akuza të forta ndaj Lulzim Bashës, që vetëm 8 muaj më parë ishte miku i familjes! Në rolin e agjentes së kundër zbulimit në shërbimet inteligjente, Monika tha se Lulzim Basha është i infiltruar nga rusët dhe lojën e tyre e ka bërë gjithë kohën. Kur e pashë si lajm, mendova se ishte humor i hollë, por e dëgjova vetë emisionin dhe batutës së gazetarit se Basha paska qenë poliagjent, Kryemadhi insistoi duke cituar manuale ushtarake! Pra e ka të bazuar tezën e saj, nuk flet pa baza!
Shkoi më tej duke e futur edhe bashkëshorten e tij në këtë skemë të KGB! Për pak përfshiu edhe vajzat! Në vijim edhe të logjikës e agjentes së kundër zbulimit, konkluzioni është i qartë edhe Sali Berisha, mentori dhe protektori politik i Lulzim Bashës, gjithashtu paska bërë lojën e rusëve! Madje, logjika e ftohtë të çon në konkluzionin se LSI që i dha me qira logon e partisë po Berishës, është duke bërë lojën e rusëve! Edhe vetë LSI kur donte të bënte një agjent rus kryeministër si Lulzim Basha, paska qenë duke bërë lojën e rusëve! Pra, gjithë opozita nga Basha, Kryemadhi, Meta dhe Berisha gjithë këto kohë ka bërë lojën e rusëve!
Unë nuk e besoj se mufkat e Monikës, janë të vërteta! Si për t’i përforcuar këto përçatje, ishte dhe diskutimi që Sali Berisha pati në distancë më Ambasadën ruse! Ndërsa Ilir Meta, në fushatën e kaluar për zgjedhjet parlamentare foli për raketa ruse! Ironike ose jo, por opozita me dashje ose pa dashje, ose e kompleksuar nga raportet shumë problematike me Departamentin Amerikan të Shtetit, e mban në qarkullim mitin rus në një kohë kur nuk është fare e nevojshme. Imagjinoni çfarë super reklame është për rusët, sipas LSI paska futur në sqetull edhe kreun e opozitës! Por, në gjithë këto teza marrëzish e konsipariconesh, opozita po tregon se jo vetëm nuk ka qenë pranë pushtetit në zgjedhjet e kaluara, por përkundrazi ka qenë aq e paqartë dhe problematike sa koha po i nxjerr përditë e më cullak në sytë e mbarë opinionit publik!
Dimesioni tjetër shqetësues mbetet qasja personale opozitës, me një mendësi shumë të vjetër politike, shkëputur nga realiteti. Vetëm pak muaj më parë ulen para tryezave trokasin gotat e verës dhe bëjnë plane për ndarjen e llokmave të pushtetit, ndërsa kur interesi prishet, miku kthehet në i paaftë, armik madje dhe agjent i KGB! Kjo klasë politike në fakt është përfaqësuesja më e mirë e mendësisë sovjetike, ose me mua, ose armik dhe agjent, retorikë që në fakt edhe Vladimir Putin po e përdor për të justifikuar luftën në Ukrianë. E në fakt kjo 3-shja politike që nuk njeh moshë, por kanë djeguar disa gjenerata me të rinj naiv, duke i gënjyer se po punojnë për të mirën e vendit, madje për integrimin në BE. Ndërsa faktet tregojnë se ata kanë punuar vetëm për të mbushur xhepat e familjarëve të tyre duke dëmtuar vazhdimisht të ardhmen.