Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të miratohet akti normative që qeveria të ulet në një tryezë me furnizuesit për të vendosur cmimet e naftës në vendin tonë. Rama tha se pjesë e bordit do të jenë ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ministrja Belinda Balluku, dy drejtorët e Tatimeve dhe Doganave, si dhe kreu i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba. Nga ana tjetër do të jenë 5 përfaqësues nga vetë biznesi, të cilët sipas Ramës duhet të jenë pjesë e sakrificës për përballimin e luftës.
Rama tha se nëse një pikë karburanti do të ketë një çmim më të lartë se ai i miratuar nga Bordi, që do të funksionojë përmes një akti normativ, atëherë biznesi do të mbyllet nga shteti. “Përmes një bordi kombëtar, ju dhe qeveria çdo ditë, ministrja e financave, e Infrastrukturës dhe enerfjisë, drejtori i tatimeve dhe doganave, dhe kreu i autoritetit të konkurencës, dhe 5 nga ju, do të jeni në një tavolinë.
Nëse dikush vendos një çmim që nuk është miratuar nga bordi, atëherë do të humbasë pikën e kaburantit. Unë besoj se liria ekonomike është themelore, dhe nuk i besoj shtetit që hyn për të rregulluar çmimet. Ajo që na kërcënon më shumë, nuk është çmimi, por mungesa e furnizimit.
Ne do të bëjmë transparencë të përditshme në lidhje me çmimin, që njerëzit ta kuptojnë që çdo qindarkë është aty”, tha Rama. Ndër të tjera i kërkoi furnizuesve që të bëjnë këtë gjë me një sens patriotik ‘O sot, o kurrë’. “Nëse zgjat përtej 3 muajve është komplet gjë tjetër, por këto 3 muaj duhet ta ndani mendjen që nuk do të fitoni derisa gjërat të normalizohen”, tha Rama.