“Mos përmendni ju lutem kohën tuaj të Maturës Shtetërore, sepse ka patur raste që notat ndryshoheshin në zyrat e ministrave. Këtë e tregojnë vetë ekspertët dhe specialistët dëshmitarë të ministrisë së arsimit” – është shprehur ministrja Kushi në përgjigje të akuzave të deputetes Ina Zhupa se sistemi i maturës shtetërore është krijuar në kohën e partisë demokratike.
Deklaratave të Zhupës për mungesa detajesh në analizën e Maturës Shtetërore, ministrja Kushi i është përgjigjur se në këtë interpelancë nuk ishin kërkuar detaje specifike, por në kuadër të politikave. “Detajet sigurisht që i diskutojmë, por jo nga kjo sallë” – është shprehur Kushi.
Një tjetër kundërti e ministres Kushi kishte të bënte edhe me akuzën e Zhupës për rënien e mesatares së maturantëve, të cilat sipas raporteve të paraqitura nga ministrja rezultojnë të pavërteta që nga viti 2014 deri në vitin 2021.
Për sa u përket masave penalizuese për mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore, ministrja Kushi theksoi se sigurisht që ato masa janë marrë, por nuk është ministri ai që i merr masat. “Ka struktura në Drejtoritë Rajonale apo atë të Përgjithshme, janë komisione disiplinore që pas konstatimeve marrin vendimet e duhura.
Kushi për takimet me maturantët theksoi se po bëhen shumë takime të tilla, por sipas rregullave anti-covid. Ajo inkurajoi maturantët që të punojnë më fort, duke shtuar gjithashtu se ata duhet të jenë të qetë, pasi po merren të gjitha masat që kjo Maturë Shtetërore të mos përsërisë problematikat e viteve të kaluara.