Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Kryetarin e Bashkisë Elbasan Gledian Llatja, uruan sot besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit nga Teqja e Baba Xhemalit, në Elbasan.
Në mesazhin e saj të urimit Kushi shprehet se dita e Sulltan Nevruzit ka një simbolikë shumë të bukur sepse në këtë ditë çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa dhe optimizmi për gjithë njerëzimin.
“Ajo është një ditë e re, kur të gjithë besojmë për një të ardhme më të mirë e më të begatë. E sidomos në këto kohë që po kalojmë, e pas shumë sfidave me të cilat jemi përballur në një kohë të shkurtër, mesazhi i kësaj dite bëhet akoma më shumë domethënës. Prandaj uroj me gjithë zemër, jo vetëm besimtarët bektashinj, por çdo familje shqiptare, për më shumë mbarësi, mirëqenie, paqe dhe dashuri. Gëzuar Sulltan Nevruzin!” – shprehet Kushi në urimin e saj.