Lea Ypi një prej personazheve më të përfolur muajt e fundit me librin e saj “Të lirë” në shtypin ndërkombëtar, është një nga 5 finalistët e çmimit Lumo Skëndo, që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit jep për eseistikën dhe publicistikën më të mirë të një viti. Krahas saj në listë janë dhe autorë si Fatos Lubonja me librin e tij të fundit “Jetë burgu”, Rubens Shima me “Posteri shqiptar”, Fatmir Toci me “Arbëreshët” dhe Kujtim Shala me “Zbulimi i Zef Pllumit”. Pesë finalistët janë përzgjedhur në morinë e botimeve në këtë fushë për vitin 2021 nga një juri e kryesuar nga Uran Butka, dhe anëtarë Belina Budini, Dorian Koci, Pirro Misha dhe Dhurata Shehri.
“Mid’hat Frashëri, një personazh i rëndësishëm i Rilindjes sonë Kombëtare, lindi më 25 mars 1880. Pinjolli i familjes së Frashëllinjve, ai do të rritej me dashurinë për gjuhën shqipe, duke e përdorur atë në jo vetëm për të shkruar fjalë zemre, por për nxitjen e lëvizjeve kombëtare për një Shqipëri të lirë.
Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qendër e studimeve shqiptare, të mbrojë, të zhvillojë dhe të udhëheq një studim që i përket Shqipërisë dhe shqiptarëve.”, shkruante ai në testamentin e tij më 4 prill 1929.
Nga Lozana, Athina, Nju-Jorku, jeta e tij sa vjen e lartësohet në vështrimet tona, teksa kërkojmë të kuptojmë idetë që la pas, në qindra dorëshkrime që sot e bëjnë të plotë veprën e tij”, thuhej në një postim të Qendrës së Librit me rastin e ditëlindjes së Mithat Frashërit ku bëheshin publikë dhe 5 finalistët e kësaj çmimi.
Fituesi do të shpallet në fillim të muajit prill që konsiderohet si një muaj që na lidh më shumë me librin, duke qenë se 23 prilli kremtohet në gjithë botën si Dita Botërore e Librit.