Kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë pritet të vizitojnë Kievin ditën e sotme, për të takuar presidentin Volodymyr Zelensky.
Vizita është konfirmuar nga qeveria polake, e cila tha se qëllimi i udhëtimit është të konfirmojë mbështetjen e Bashkimit Evropian për sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, shkruan BBC.
Zyra e kryeministrit polak, njoftoi se kryeministri Mateusz Morawiecki, zëvendëskryeministri Jarosław Kaczyński, kryeministri çek Petr Fiala dhe kryeministri slloven Janez Jansha do të vizitojnë kryeqytetin ukrainas si përfaqësues të Këshillit Evropian.
“Vizita është organizuar në konsultim me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Qëllimi i vizitës është të konfirmojë mbështetjen e qartë të të gjithë Bashkimit Evropian për sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Qëllimi i kësaj vizite është gjithashtu të paraqesë një paketë të gjerë mbështetjeje për Ukrainën dhe ukrainasit”, thuhet në deklaratë.
Ukraina është zgjuar sot në ditën e 20-të të pushtimit rus. Granatimet ruse të Kievit vazhdojnë edhe sot, me djegien e një ndërtese banimi pasi u dëgjuan shpërthime në kryeqytet. Zjarri tani është shuar, thotë shërbimi shtetëror i emergjencave të Ukrainës.
Korridoret e evakuimit janë planifikuar të vendosen ndërmjet orës 09:00 dhe 21:00 me kohën lokale në rajonin verilindor Sumy, thotë administrata shtetërore rajonale.