Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për mediat pas zhvillimit të samitit për situatën në Ukrainë ka bërë me dije se janë vendosur “40 mijë trupa në Evropën Lindore, së bashku me asete të konsiderueshme ajrore dhe detare, nën komandën e drejtpërdrejtë të NATO-s të mbështetur nga dislokimet kombëtare të Aleatëve”.
“Në përgjigje të veprimeve të Rusisë, ne kemi aktivizuar planet e mbrojtjes të NATO-s, kemi vendosur elementë të Forcës së Reagimit të NATO-s dhe po krijojmë gjithashtu katër grupe luftarake shumëkombëshe shtesë në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki”. Sakaq ai ka vijuar se NATO do të marrë të gjitha masat dhe vendimet për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 gradë.
“Masat tona mbeten parandaluese, proporcionale dhe joshkallëzuese. Tani do të përshpejtojmë transformimin e NATO-s për një realitet strategjik më të rrezikshëm, duke përfshirë miratimin e Konceptit të ardhshëm Strategjik në Madrid”.
Duke e quajtur agresionin rus në Ukrainë si “kërcënimin më të madh për sigurinë euro-atlantike në dekada”, Stoltenberg theksoi se, “ne do të forcojmë gjithashtu ndjeshëm parandalimin dhe qëndrimin tonë afatgjatë të mbrojtjes dhe do të zhvillojmë më tej gamën e plotë të forcave dhe aftësive të gatshme të nevojshme për të ruajtur parandalimin dhe mbrojtjen e besueshme”.
Sipas tij këta hapa do të mbështeten nga ushtrime të zgjeruara me një fokus të shtuar në mbrojtjen kolektive dhe ndërveprueshmërinë.
“Ne po rrisim qëndrueshmërinë e shoqërive tona dhe infrastrukturës sonë për të kundërshtuar ndikimin keqdashës të Rusisë. Ne po përmirësojmë aftësitë dhe mbrojtjen tonë kibernetike, duke ofruar mbështetje për njëri-tjetrin në rast sulmesh kibernetike. Ne jemi të gatshëm të imponojmë kosto për ata që na dëmtojnë në hapësirën kibernetike dhe po rrisim shkëmbimin e informacionit dhe ndërgjegjësimin për situatën, duke rritur gatishmërinë civile dhe duke forcuar aftësinë tonë për t’iu përgjigjur dezinformatave. Ne gjithashtu do të rrisim gatishmërinë tonë për kërcënimet kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore”.
Duke vënë theksin te hapat që po ndërmarrin për të garantuar sigurinë e Aleancës sonë dhe të zonës Euro-Atlantike, Stoltenberg shtoi se, “do të kërkojnë burime të përshtatshme”.
“Aleatët po rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Sot, ne kemi vendosur të përshpejtojmë përpjekjet tona për të përmbushur angazhimin tonë ndaj Betimit të Investimeve të Mbrojtjes në tërësinë e tij. Në përputhje me angazhimin tonë në nenin 3 të Traktatit të Washington-it, ne do të forcojmë më tej kapacitetin tonë individual dhe kolektiv për t’i rezistuar të gjitha formave të sulmit”.
Në vijim të fjalës së tij ai u shpreh se të tjera palne shtesë do të paraqiten në takimin tyre në Madrid.
“Lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës përfaqëson një sfidë themelore për vlerat dhe normat që kanë sjellë siguri dhe prosperitet për të gjithë në kontinentin evropian. Zgjedhja e Presidentit Putin për të sulmuar Ukrainën është një gabim strategjik, me pasoja të rënda edhe për Rusinë dhe popullin rus. Ne mbetemi të bashkuar dhe të vendosur për të kundërshtuar agresionin e Rusisë, për të ndihmuar qeverinë dhe popullin e Ukrainës dhe për të mbrojtur sigurinë e të gjithë aleatëve”, tha Stoltenberg.