Presidenti rus, Vladimir Putin ka dhënë drejtën jeshile për lejimin e ushtarëve mercenarë nga Lindja e Mesme, që janë të gatshëm të luftojnë në Ukrainë. “Nëse e shihni se ka njerëz që duan me dëshirën e tyre, jo për para, të vijnë për të ndihmuar njerëzit që jetojnë në Donbas, atëherë ne duhet t’u japim atyre atë që duan dhe t’i ndihmojmë ata të arrijnë në zonën e konfliktit,” i tha Putini Këshillit të Sigurimit të Rusisë.

Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu i tha atij se kishte 16,000 vullnetarë në Lindjen e Mesme që ishin gati të vinin në Donbas. Ka pasur spekulime se trupat qeveritare siriane mund të paguhen nga Rusia për të luftuar në Ukrainë. Forcat ajrore ruse dhe disa njësi të specializuara kanë luajtur një rol kyç në mbështetjen e presidentit sirian Bashar al-Assad. Më herët qeveria ukrainase tha se po formonte një forcë vullnetarësh të huaj të gatshëm për ta ndihmuar atë të luftonte ushtrinë ruse. Presidenti Putin i tha Këshillit se “sponsorët perëndimorë” po rekrutonin mercenarë për konfliktin në Ukrainë “haptas, duke shkelur të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare”. Ai u pajtua gjithashtu me sugjerimin e Shoigut që armët e kapura perëndimore – veçanërisht raketat antitank Javelin dhe raketat anti-ajrore Stinger – mund t’u dorëzoheshin luftëtarëve pro-rusë në Donbas.