Ukraina vazhdon rezistencën e saj ndaj sulmit rus në ditën e 6 të pushtimit. Beteja është intensifikuar në Kiev teksa imazhet satelitore të publikuara rishtazi tregojnë një autokolonë masive të armaturës ruse që zbret në kryeqytetin ukrainas. Fotot e marra të hënën, para mesditës në Ukrainë, tregojnë njësitë ushtarake ruse pranë aeroportit Antonov, rreth 27 km (17 milje) nga qendra e kryeqytetit. Mëngjesin e sotëm forcat ruse bombarduan selinë qeveritare në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë. Sipas Kievit Zyrtar qëllimi ishte vrasja e guvernatorit të Kharkiv dhe ekipit që drejton mbrojtjen e qytetit me të, ndërsa presidenti ukrainas Zelensky-t e cilësoi sulmin “qartazi një krim lufte ku në shënjestër ishin civilë të pafajshëm”.
Nga bombardimet 9 persona, duke përfshirë 3 fëmijë, ndërsa Zelensky tha se kishte dëshmi të dëshmitarëve okularë se civilët ishin bombarduar qëllimisht.

“Ishte qartë një krim lufte. Qytet paqësor. Zona banimi paqësore. Nuk ka objekte ushtarake. Dhjetëra të dhëna të dëshmitarëve okularë dëshmojnë se ishte një shkatërrim i qëllimshëm i njerëzve. Rusët e dinin se ku po qëllonin”, tha ai.

Ndërkohë që Presidenti i Ukrainës ka ripërsëritur qëndrimin e tij se ukrainasit nuk do të ndalen së mbrojturi tokën e tyre. Zelenski kërkon ndalimin e Rusisë në të gjitha aeroportet dhe portet globale, teksa i kërkoi perëndimit të “të konsiderojë një mbyllje totale të qiellit për raketat, avionët dhe helikopterët rusë”. Presidenti firmosi edhe urdhrin ekzekutiv që i fton të gjithë të huajt që të luftojnë pasi tashmë as viza nuk do të nevojitet për të hyrë në Ukrainë.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka nënvizuar se pothuajse 75% e forcave ruse të mbledhura në kufijtë e Ukrainës janë tani brenda vendit. Përparimi kryesor i trupave tani është pozicionuar rreth 25 km nga kryeqyteti Kiev, afërsisht një rritje prej 5 km që nga e diela. Ushtarët ende nuk kanë kapur dy qytete kryesore: Kharkiv në verilindje dhe Mariupol në jug. Siç kanë theksuar më parë zyrtarët perëndimorë, trupat nuk po bëjnë përparimin që kishin planifikuar për shkak të çështjeve logjistike dhe rezistencës së ashpër nga luftëtarët ukrainas.

Dje rreth 6 orë zgjatën bisedimet mes palëve në Gomel të Bjellorusisë. Pas diskutimeve palët janë kthyer për konsultime në vendet përkatëse dhe pritet një raund i dytë bisedimesh. Kreu u delegacionit rus ka dhënë sinjale pozitive kur ka deklaruar se pika të rëndësishme të përbashkëta janë gjetur gjatë bisedës që mund të çojnë në rezultate pozitive. Sipas mediave të huaja, ndërprerja e menjëhershme e zjarrit dhe tërheqja e trupave ruse, ishte kërkesa e Kievit ndaj Rusisë. Ndërkohë, Moska deklaroi se dëshiron të arrijë një marrëveshje që ishte në interes të të dyja palëve. Por ka shumë skepticizëm për rezultatin e negociatave në Bjellorusi. Presidenti i Ukrainës, Zelensky tha se 24 orët e ardhshme janë vendimtare për Ukrainën.

Kanali i negociatave është i hapur, edhe nëse pozicionet duken ende shumë të largëta për të dhënë shpresë për një armëpushim të shpejtë. Pas takimit të parë, delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës do të takohen sërish, këtë herë në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë. Vladimir Putin dje diktoi kushtet e tij për t’i dhënë fund sulmit ushtarak në Kiev: Moska – tha presidenti rus në bisedën e tij me Emmanuel Macron – kërkon njohjen e sovranitetit rus mbi Krimenë dhe çmilitarizimin dhe neutralitetin e Ukrainës.

Presidenti ukrainas e mban gjithmonë të hapur kanalin me aleatët e tij perëndimorë dhe në mëngjes kërkon pranim të menjëhershëm në Bashkimin Evropian, por Brukseli frenohet. Një numër i ri i të vdekurve civilë vjen gjithashtu nga Kievi: 352 të vdekur, duke përfshirë 14 fëmijë, ndërsa OKB-ja flet për të paktën 104 civilë të vrarë.