Edhe ne që jetuam nën diktaturën më të egër të bllokut të Europës Lindore, harruam. Harrojmë se ç’do të thotë të jetosh nën diktaturë. Harrojmë se ç’do të thotë diktator dhe shpesh zvogëlojmë rëndësinë e jashtëzakonshme të demokracisë. Sigurisht që mijëra njerëz që nuk bezdisën asnjëherë diktatorin, jetuan mirë dhe qetë në diktaturë, sigurisht, që miliona njerëz që nuk bezdisin Vladimir Putinin jetuan dhe jetojnë mirë në Rusinë e drejtuar prej tij. Ishin mirë marrëdhëniet edhe derisa Ukraina kishte drejtues që i nënshtroheshin dëshirave dhe urdhërave të Putinit. Problemi nisi kur ukrainasit nisën të shohin Perëndimin dhe vlerat e tij si vlerat më të larta të një dinjiteti njerëzor.

Sa e rëndësishme është sot të ndalim, të qëndrojmë dhe të reflektojmë se sa po ndodh në Ukrainë, është realiteti i tmerrshëm i krijuar nga egoja e sëmurë e një njeriu që nuk duron, nuk lejon, nuk pranon që njerëz të tjerë të jenë të lirë: Të lirë të zgjedhin, të lirë të jetojnë, të lirë të mendojnë. Siç populli i Ukrainës dëshiron të bëjë.

Eshtë tepër e rëndësishme sot, për ne që jetuam diktaturën më të egër e më të jashtëzakonshme të gjithë bllokut të Lindjes, të mbrojmë e të kujdesemi si për lulen më të bukur, grimcat tona të Demokracisë e të Lirisë, të fituara me aq mundim në 30 vite postdiktaturë. E shohim përditë se sa e mundimshme, e lodhshme, sfilitëse është të dallohen, të ruhen vlerat njerëzore që Demokracia i mbart dhe i shpalos. Të gjithë e shohim se si parazitë të rrezikshëm i ngjiten kësaj luleje, shpesh të maskuar si flutura, si bletë apo molla molla kuqe vetëm e vetëm për ta kafshuar, për ta tharë e për ta hedhur përtokë.

Ateherë, duke parë e duke vuajtur për Ukrainën, duke u përpjekur me mish e me shpirt për të kontribuuar në shuarjen e kësaj lufte të tmerrshme, të mos harrojmë! Të ruajmë të gjithë miqtë, shokët, të afërmit, të njohur e të panjohur që kanë për zemër Demokracinë. Demokracia është jeta dhe dinjiteti ynë e i të gjithë njerëzve në botë.