Ulen rastet e shtrimeve Covid në spitalin pediatrik në QSUT. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu,e ka ndarë këtë lajm të mirë me stafin e mjekëve dhe infermierëve, duke theksuar se ambientet e reja kanë përmirësuar akoma më shumë shërbimin ndaj fëmijëve.
“Unë besoj që ka influencuar dhe fakti që ulja e kurbës së infektimeve patjetër që kanë sjellë edhe një ulje të rasteve që praktikisht vijnë edhe për faktin që vijnë edhe si suspekte të covid. Patjetër që prindërit janë më shumë të interesuar që të vijnë direkt në QSUT për ta hequr atë merakun e parë nëse janë të alertuar. Besoj që këtu puna është future në ato shinat e punës që QSUT dhe Pediatria ngaherë e ka, e ka pasur dhe do ta ketë. Por jam e kënaqur që edhe këto ambientet e reja kanë përmirësuar akoma më shumë shërbimin. Dëgjojmë nga njerëzit fjalë të mira edhe nga prindërit edhe nga të gjithë stafi. Unë jam e bindur që organizimi këtu, infrastruktura e re ka bërë që edhe procesimi të bëhet shumë më shpejt, në kohë më të shpejtë për prindërit padyshim të fëmijëve por edhe vetë për mjekët që kanë tani më lirshmëri edhe në hapësira edhe në kapacitete trajtimi”, tha Manastirliu.
Duke kujtuar së bëhen 2 vite nga konfirmimi i rastit të parë COVID në Shqipëri, Manastirliu tha se puna nuk ka ndalur në asnjë drejtim në sektorin e Shëndetësisë, teksa ka shprehur vlerësim dhe mirënjohje për punën e palodhur të stafit mjekësor.
“Dhe dua që t’ju falenderoj dhe vlerësoj të gjithëve për gjithë këtë periudhë të vështirë po themi, sfiduese. Mos harrojmë që kemi qenë duke ndërtuar një spital të ri, duke rehabilituar një tjetër dhe kapacitetet nuk i kemi pasur aq të bollshme. Por ja kemi dalë që të mos lëmë askënd pa shërbim në kohë. Për pak ditë bëjmë dy vjet që nga momenti i rastit të parë të identifikuar në Shqipëri të covid19. Nëse bëjmë një rezyme të gjithë punëve që kemi bërë, të gjithë projekteve që kemi çuar përpara por mbi të gjitha për menaxhimin që kanë bërë mjekët, infermierët, stafet në të gjithë spitalet me të vërtetë duhet të ndihemi dhe të ndiheni krenarë për punën që keni bërë”, tha Manastirliu.
Spitali i ri Pediatrik është një investim i Qeverisë shqiptare me vlerë 9 milion euro. Ky investim madhor përfshin rikonstruksionin e plotë të kompleksit të Spitalit Pediatrik, që përbëhet nga dy godina, Pediatria e Specializuar dhe Pediatria e Përgjithshme si dhe ndërtimin e godinës së re, e cila ka përfunduar dhe është vendosur në funksion me shërbime të Urgjencës, Reanimacionit dhe Kirurgjisë Pediatrike me katër salla operacioni. Investimi në Pediatrinë e Tiranës do të vijoj me fazën e dytë dhe të tretë dhe është pjesë e investimeve madhore për modernizimin e QSUT, bashkë me Spitalin e ri të Kirurgjisë dhe Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Shërbimin Infektiv.