Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë ka paraqitur amendimin e marrëveshjes mes kompanisë Pfizer dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, duke u shprehur se qeveria shqiptare garanton me këtë marrëveshje, vijimin e procesit të vaksinimit për të gjithë popullatën.
Ministrja Manastirliu ka bërë me dije se për vitin 2022 është parashikuar blerja e 1 milion dozave të vaksinës Pfizer dhe 500 doza opsionale, ndërkohë që pritet që sasia e parë e dozave të kësaj kontrate, pritet të mbërrijnë në vend brenda marsit.
“Sa i përket kësaj marrëveshjeje të re që ne sjellim per miratim, është amendamenti i 3 i marrëveshjes me kompaninë Pfizer. Miratojmë sot tekstin e kësaj marrëveshjeje. Por çfarë sjell kjo marrëveshje, çfarë siguron. Siguron 1 milion doza vaksina pergjatë vitit 2021 e ndërkohë që vendos po në këtë marrëveshje 500 mijë doza opsionale në rast se do të ketë nëvojë për të rritur numrin e vaksinave që ne duhet të sigurojmë për në vijim 2022 dhe 2023. Është një marrveshje e cila jo vetëm garanton sigurimin me vaksina por garanton që dhe nëse do të ketë një variant të ri dhe vaksina atë mund të adaptohet dhe të marrim variantin apo versionin e adaptuar të vaksinës, nga ana tjetër ne do të kemi mundësi të adaptojmë dhë planin tonë kombëtar të vaksinimit”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj Manastirliu tha se kjo marrëveshe siguron gjithashtu edhe dozat për vaksinat pediatrike.
“Sigurojmë nëpërmjet kësaj marrëveshje dhe dozat dhe gjithashtu dhe dozat për vaksinën pediatrike, rastet kur komiteti do të vendosë që të lejojë te bëhet vaksina te grupmoshat pediatrike 5-11 vjeç. Ne nëpërmjet ksaj kontrate mundet të sigurojmë kto doza të vaksinave për fëmijët”, tha Manastirliu. Duke folur për mbërritjen e vaksinave në vend, Manastirliu u shpreh: “Ajo çfarë pritet në vijim është një kalendar i shpërdarjes së vaksinës dhe i mbërritjes në Shqipëri duke filluar nga muaji mars-prill me 300 mijë vaksinat e para. Deri në muajin qershor vjen sasia prej 200 mijë vaksinash. Më pas shtatori dhe dhjetori i këtij viti përmbyll 1 milion doza të vaksinës Pfizer që vijnë nëpërmjet kësaj kontrate teksti i amendimit të së cilës miratohet sot në Kuvend”.
Qeveria shqiptare ka alokuar në buxhetin 2022 rreth 2,7 miliard lek pë procesin e vaksinimit anticovid. Bashkë me vaksinat që pritet të mbërrijnë nëpërmjet instrumentit Covax gjatë 2022, janë mbi 5 milion doza vaksine që do të kenë mbërritur në Shqipëri që prej fillimit të procesit të vaksinimit. Në tërësi, mbi 70% e dozave të vaksinave anticovid është financuar nga qeveria shqiptare.