Ukraina tashmë prej më shumë se një jave është duke u përballur me sulmin e trupave ushtarake të Rusisë, me këta të fundit që janë në territorin ukrainas dhe çdo ditë e më shumë shkaktojnë një numër të lartë viktimash.
Një pjesë e mirë e qytetarëve ukrainas kanë vendosur të qëndrojnë dhe të luftojnë për vendin e tyre, ndërsa nëse nuk do të ishte për vajzën e vogël dhe për familjen e tij, këtë do të kishte bërë edhe futbollisti i Manchester City, Oleksandr Zinchenko. Në një intervistë për BBC, mbrojtësi thekson se e njeh mirë mentalitetin e patriotëve të tij dhe shtoi se ata preferojnë të vdesin se sa të mos mbrojnë vendin e tyre.
“Ka kaluar një javë prej momentit kur vendi im është në luftë dhe unë nuk mund t’i mbaj lotët. Edhe kur jam në makinë duke u kthyer nga qendra stërvitore, nis edhe të qaj. E kam mendjen gjithnjë atje, e imagjinoj vendin ku jam lindur dhe rritur. Tani nuk ka më asgjë aty, është një hapësirë boshe.
Mund t’iu tregoj me mijëra foto dhe video të secilit prej qyteteve që janë shkatërruar. Kjo është një luftë e vërtetë, çfarë po bëjnë ata atje nuk është e pranueshme dhe duhet ndaluar sa më parë. Njerëzit nga Ukraina më dërgojnë fakte mbi atë që ndodh, janë të uritur, nuk kanë më për t’u ushqyer dhe po flenë në bunkere.
Të jem i sinqertë, nëse nuk do të ishte për vajzën time apo për familjen edhe unë do të isha në Ukrainë duke luftuar. E njoh mentalitetin e njerëzve të mi, ata do të zgjedhin të vdesin dhe nuk do të dorëzohen. Jam shumë krenar që jam ukrainas dhe do të jem përgjatë gjithë jetës sime. Kur shoh njerëzit se si luftojnë për jetën e tyre, nuk kam fjalë që mund ta përshkruaj”, u shpreh Zinchenko./ Supersport