Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënoi sot ashpër sulmin ndaj centralit bërthamor të Zaporizhzhisë në Enerhodar.

MEPJ thekoi se, ky akt i pakujdesshëm është një tjetër demonstrim i mospërfilljes së sigurisë së civilëve dhe Evropës në tërësi, duke përfshirë edhe vetë Rusinë.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin ndaj centralit bërthamor të Zaporizhzhisë në Enerhodar. Ky akt i pakujdesshëm është një tjetër demonstrim i mospërfilljes së sigurisë së civilëve dhe Evropës në tërësi, duke përfshirë edhe vetë Rusinë! Ndaloni luftën!”, theksoi MEPJ, me anë të një reagimi në Twitter.

Centrali bërthamor Zaporizhia, që ndodhet në jug të Ukrainës, në Energodar, u godit nga një sulm rus.

Zjarri në centralin më të madh bërthamor të Evropës, i ndezur nga bombardimet ruse u shua, njoftuan sot autoritetet ukrainase ndërsa forcat ruse kanë marrë kontrollin e zonës, sipas AP.

Rregullatori shtetëror bërthamor i Ukrainës tha se deri më tani nuk janë regjistruar ndryshime në nivelet e rrezatimit.