Roman Abramovich po mundohet ta shesë sa më shpejt klubin e tij Chelsea.
Miliarderi rus është duke kërkuar blerës serioz dhe ofertat tashmë kanë nisur t’i vijnë. Robert Wood Johnson, pronar i New York Jets, është duke e përgatitur një ofertë për ta blerë klubin anglez, shkruan “Gazeta Express”.
Manjati amerikan e njeh mjaft mirë klubin dhe Premierligës, duke e pasur parasysh se ka banuar për një kohë të gjatë në Londër gjatë periudhës kur ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mbretërinë e Bashkuar. Mbetet të shihet nëse oferta e tij do të konsiderohet si e kënaqshme për Abramovichin.
Ky i fundit ka vendosur t’i shesë krejt pronat dhe gjithçka që ka në Britaninë e Madhe pasi u shpall “persona non-grata” në këtë vend, derisa ju ndalua hyrja dhe jetesa në ishull. E pjesë e shitjeve të miliarderit me pasaportë izraelite është edhe klubi i Chelseat, të cilin e kishte blerë në vitin 2003, e me të cilin ka fituar gjithçka që mund të fitohet në futboll.
Abramovich thuhet se i kërkon afro 3 miliardë funte për shitjen e klubit nga “Stamford Bridge”. Krahas miliarderit amerikan, thuhet se interesim për ta blerë Chelsean kanë shprehur edhe sheikët arabë.