Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba njoftoi se ushtarët rusë po përdhunojnë gratë në qytetet ukrainase të pushtuara prej tyre, ndërsa shpreson që ata të cilët nxitën luftën të dalin para drejtësisë.

“Kur bien bomba në qytetet tuaja, kur ushtarët përdhunojnë gratë në qytetet e pushtuara dhe kemi raste të shumta, për fat të keq, kur ushtarët rusë përdhunojnë gra në qytetet e Ukrainës. Është e vështirë, sigurisht, të flitet për efikasitetin e ligjit ndërkombëtar.

Por ky është i vetmi mjet qytetërimi që kemi në dispozicion për t’u siguruar që në fund të gjithë ata që bënë të mundur këtë luftë do të dalin para drejtësisë. Dhe Federata Ruse si një vend që ka kryer një akt agresioni, gjithashtu do të mbajë përgjegjësi për veprat e saj”.

Ai akuzon Rusinë për agresion dhe kërkon që të mbajë përgjegjësi për veprat e saj, ndërsa pret nga ndërkombëtarët që të ndihmojnë Ukrainën për të tejkaluar këtë situatë.

“Tetë ditë të plota më parë, Rusia, në një mënyrë mjaft barbare, nisi një valë tjetër agresioni kundër Ukrainës. Dhe pyetja është tani se si do ta trajtojë komuniteti ndërkombëtar. Ne po luftojmë kundër armikut që është shumë më i fortë se ne, por ligji ndërkombëtar është në anën tonë dhe shpresojmë se do të na ndihmojë. Ai do të japë kontributin e vet për të na ndihmuar.”