Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe në një reagim të fundit ka bërë ne dije se forcat ruse kanë dështuar të bëjnë një përparim të rëndësishëm në veri të Kievit dhe forcat ukrainase duket se po arrijnë të rrëzojnë aeroplanët e armikut. Sipas përditësimit të fundit të inteligjencës britanike të fushëbetejës në një postim në Twitter theksohet se lufta në veri-perëndim të Kievit mbetet e vazhdueshme me forcat ruse.

“Lufta në veri-perëndim të Kievit mbetet e vazhdueshme me forcat ruse që nuk arrijnë të bëjnë ndonjë përparim të rëndësishëm. Mbrojtja ajrore ukrainase duket se ka pasur sukses të konsiderueshëm kundër avionëve luftarakë modernë të Rusisë, ndoshta duke i penguar ata të arrijnë çdo shkallë të kontrollit të ajrit’, thuhet në postimin në Twitter.

Ndër të tjera ministria e Mbrojtjes shtoi se Kharkiv, Chernihiv, Sumy dhe Mariupol mbeten të rrethuar nga forcat ruse dhe vazhdojnë të vuajnë granatimet e rënda ruse.