Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ishte e pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Michigan State University, ku të pranishëm ishin kryeministri Rama, Ambasadorja e SHBA Yuri Kim.

Kjo marrëveshjeje mes dy universiteteve synon të lehtësojë dhe përmirësojë bashkëpunimin akademik për trajnimet, kërkimin shkencor, zhvillimin e kurrikulës, sigurimin e cilësisë si dhe shkëmbimin e studentëve dhe stafit.

Gjatë fjalës së saj ministrja Kushi theksoi se sektori i bujqësisë është prioritet për zhvillimin e vendit dhe kjo duhet të reflektohet në shifrat e studentëve të cilët zgjedhin degët e bujqësisë.

Sipas saj, sfida më e madhe e Universitetit Bujqësor të Tiranës mbetet rritja e interesit për të rinjtë shqiptarë për të studiuar në programet e ofruara në këtë universitet, për të cilat tregu ka nevojë.

“Jemi të angazhuar maksimalisht që së bashku me rektorin e universitetit të nxisim interesin për këto degë. Nuk do ta bëjmë këtë vetëm me ndërgjegjësim apo promovim, por me mbështetje financiare. Ne do të ofrojmë mbështetje financiare dhe reduktim tarifash apo bursa studimi për ata studentë që do të zgjedhin të studiojnë në këto programe prioritare,”- u shpreh ministrja Kushi.

Duke folur për kampusin e ri universitar të UBT-së, Kushi tha se ai do të jetë një ndër më të mëdhenjtë në rajon, një investim nga qeveria shqiptare ku do të akomodohen 2200 studentë. Kjo do të jetë një qendër multifunksionale që do të ofrojë të gjitha shërbimet që kanë nevojë studentët.