Muzeu i Aushvicit i ka bërë thirrje UNESCO-s që të mos zhvillojë sesionin e 45-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Kazan, Rusi, në fund të qershorit 2022.
“Pas pushtimit rus të Ukrainës, plani i UNESCO-s për të zhvilluar një debat mbi trashëgiminë botërore, në Kazan të Rusisë, është si një shaka që bëhet me viktimat e pafajshme ukrainase”, thuhet në një apel të bërë nga Muzeu i Aushvicit.
Muzeu kritikoi ashpër agresionin krejtësisht të pajustifikuar rus kundër shtetit sovran dhe të pavarur të Ukrainës dhe deklaroi se njoftimi i sesionit të 45-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Kazan ishte ende në faqen e internetit të UNESCO-s.
Muzeu i Aushvicit shtoi se apeli i tij për të mos mbajtur seancën në Rusi ishte nisur nga Vendi i Përkujtimit, i regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore në 1979.
“Përderisa kjo seancë nuk mund të mbahet në Kiev apo Kharkiv, është moralisht e papranueshme – pa shkelur frymën e Konventës (UNESCO – PAP) – organizimi i tij në Moskë, Shën Petërburg, Kazan apo në ndonjë qytet tjetër rus”, thuhet në deklaratë.
Gjermanët krijuan kampin e Aushvicit në vitin 1940, fillimisht për burgosjen e polakëve.
Aushvic II-Birkenau u hap dy vjet më vonë dhe u bë vendi kryesor për shfarosjen masive të hebrenjve.
Gjermanët vranë të paktën 1,1 milion njerëz në Aushvic, kryesisht hebrenj, por edhe polakë, romë dhe robër lufte sovjetikë.
Muzeu i Aushvicit, i vendosur në vendin përkujtimor të kampit famëkeq të vdekjes naziste të Luftës së Dytë Botërore në Poloninë Jugore, u hap në vitin 1947.