Në nderim të ditës ndërkombëtare të gruas e të drejtave të saj, Shtëpia Studio Kadare në kuadër të nismës “Fondi i Librit”, që synon të pajisë me libra bibliotekat e institucioneve të edukimit dhe riedukimit në nevojë, vizitoi më dt. 8 mars Burgun e grave nr. 325, Tiranë.

Gjatë bisedës me drejtoreshën, znj. Elona Demollari falenderoi muzeun për nismën “Një falenderim i veçantë i shkon muzeut Shtëpia Studio Kadare për kontributin tejet të veçantë dhe mendimplotë në këtë datë kushtuar grave, si dëshmi se institucionet e vuajtjes së denimit në fakt nuk përjashtojnë, por edukojnë. Ky gjest merr rëndësi jo vetëm sepse si objekt të vetin ka librin i cili mbetet një urë e përhershme dhe e pandërprerë komunikimi i gjithsecilit me botën e veten, por mbi të gjitha sepse është spontan, nuk ishte plotësim i një kërkesë tonës.
Për të gjitha sa më sipër, uroj që nisma të këtilla bujare t’i hasim ne vazhdimësi sepse arrijnë të zhbëjnë stigmatizimin e këtyre grave që dënimin e vërtetë kanë paragjykimin.”

Muzeu Shtëpia Studio Kadare pasuroi bibliotekën e këtij institucioni me një mori titujsh të rinj me qëllim edukimit nëpërmjet kulturës e leximit. Gjejmë rastin për të falenderuar shtëpinë botuese Onufri që ju përgjigj thirrjes për krijimin e Fondit të librit
duke dhuruar dhjetra tituj nga kolana e Ismail Kadare.

Dhurimi i librave në biblioteka dhe institucione është kthyer tashmë në një traditë për “Shtëpinë Studio Kadare” e cila, edhe më parë ka dhuruar një sërë titujsh për bibliotekat e shkollave, të njësive bashkiake, konvikteve dhe institucionet e tjera në nevojë për libra. Ky muze do vazhdojë misionin për të sjellë letërsinë më të mirë dhe për të afruar librin tek lexuesit e rinj!