NATO nuk do të rrezikojë një përshkallëzim në luftën në Ukrainë duke ndërhyrë me forcë ushtarake. Kështu ka deklaruar kancelari gjerman Olaf Scholz në konferencën e përbashkët për shtyp në Berlin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg të enjten.
“Është detyra kryesore e aleancës të sigurojë sigurinë e të gjithë anëtarëve”, tha ai. Gjermania po dërgon ndihmë financiare dhe humanitare, si dhe mallra ushtarake, në Ukrainë, por Berlini ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të dërgojë avionë luftarakë për të ndihmuar forcat ukrainase në mbrojtjen e tyre kundër pushtimit rus.
“Fati i njerëzve në Ukrainë na prek thellë”, tha Scholz pas një fjalimi të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në parlamentin gjerman duke shtuar, “Putin-i sjell vuajtje të tmerrshme dhe vdekje për njerëzit në Ukrainë. Ne jemi me Ukrainën”.
Scholz shtoi se Putin-i mban përgjegjësinë e vetme për vdekjen e të rinjve rusë në ushtri.
“Ne jemi gjithashtu të prekur nga ata shumë të rinj rusë të udhëhequr nga lidershipi i tyre që kundërshtojnë një luftë të pakuptimtë”, tha ai. Kujtojmë që kjo është dita e 22-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.
Sipas OKB-së, rreth 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë. Ndërsa rreth 2 mijë e 500 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.