Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeleine Albright. Në një dedikim të gjatë, Spiropali shprehet se Albright një Mëmë Zonjë e shqiptarëve do të ketë gjithmonë monumentin e saj të mirënjohjes. “Faleminderit që ishe me ne, si zëri, mendja dhe shpirti i vendit tënd të madh në ato ditë të zymta”- shkruan Spiropali.

Reagimi i plotë: 

E para grua në atë detyrë, e ka shënuar emrin e saj në historinë e shqiptarëve sepse ka bërë për ta shumë më shumë se shumëkush tjetër! Një grua, e cila, e armatosur me humanizëm dhe realizëm, me forcë dhe shpresë, me mençuri dhe vizion, u bë pjesë e projektit modern të lindjes në Evropë të shtetit më të ri, Kosovës. Një grua, politikane njerëzore dhe pasionante që goditi të ligën, ndëshkoi nacionalfashizmin e ri në mes të Evropës dhe i dha frymë dhe fytyrë projektit të politikës humane.

Një grua që quhet Madeleine Albright, një Mëmë Zonjë e shqiptarëve e cila në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo ku shqiptarët flasin, qajnë e qeshin në shqip, sot e mot dhe motmot, do të ketë monumentin e saj të mirënjohjes.
Faleminderit që ishe me ne, si zëri, mendja dhe shpirti i vendit tënd të madh në ato ditë të zymta, kur çmimi i luftës ishte gjaku dhe kur gjaku ishte çmimi që kombi ynë i vogël po paguante për projektin madhështor të lirisë dhe begatisë.
Forever grateful🙏