Pasditen e sotme përpara Kryeministrisë u organizua një protestë për rritjen e çmimit të naftës gjatë ditëve të fundit.

Protagonistë të kësaj proteste të cilët morën fjalën në emër të qytetarëve ishin edhe disa personazhe jo të panjohur për jetën publike dhe veçanërisht atë politike.

Duke nisur me Mirela Karabinën, përfaqësuese e Partisë Demokratike, ish Ministrja e Arsimit, e propozuar nga Lulzim Basha në vitin 2017. Më shumë se sa një qytetare e indinjuar për çmimin e naftës, Karabina foli gjatë protestës si politikane duke akuzuar për papërgjegjshmëri e vjedhje qeverinë shqiptare.

Më tej, Ervin Resuli që foli në emër të blegtorëve e fermerëve njihet si aktivist dhe eksponent i LSI në Fier. Resuli po ashtu, foli si një politikan që hallin e kishte te akuzat ndaj qeverisë së papërgjegjshme, më shumë se sa te nevojat e fermerëve.

E radhës ishte edhe Edlira Çepani, bashkëshortja e ish deputetit dhe zyrtar i Partisë Demokratike, Gert Bogdani.

Protestës kundër rritjes së çmimit së naftës i janë bashkuar edhe mbështetës të Sali Berishës si Albana Vokshi, Ish- nënkryetari i FRPD-së, Lisandër Hoxha, dhe Indrit Hoxha anëtar i Këshillit Kombtar të PD.

Bashkë me ta, siç tregojnë fotot në protestë merr pjesë edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili.

Kështu, teksa ka një grup qytetarësh të shqetësuar për ndikimet që mund të ketë rritja e çmimeve të karburantit në shoqëri, personazhe të lidhur me opozitën kanë gjetur një tjetër mundësi për ta shfrytëzuar politikisht e mediatikisht.