Rritja e çmimeve ka përfshirë gjithë botën. Bashkëkombas tanë në vende të tjera, tregojnë se si kanë ndryshuar shpenzimet e jetesës së tyre jashtë Shqipërisë. Gjermania duket se ka pësuar një dyfishim të kostove.
“Janë ngritur me 50%” Familjet shqiptare që jetojnë atje krahasojnë çmimet para luftës me çmimet që gjejnë këto ditë nëpër supermarkete. “Edhe në Gjermani çmimet janë ngritur shumë. Jetesa është vështirësuar. Një litër vaj ishte 2 euro e 40 cent ka shkuar 4 euro. 1 kg djathë i bardhë ishte 4.56 euro është bërë 5.69 euro, 1 kg miell ishte 45 cent ka vajtur 1.19 euro. Më parë 1 person harxhonte për tu ushqyer afërsisht 250 euro , kurse tani shkon edhe 400 euro. Po besoj se po të isha në Shqipëri do e kisha më të vështirë, se rrogat janë të ulëta.”
Edhe familja e Erika Manzarit pogradecares që studion në Greqi është prekur nga shtrenjtimi i produkteve. Vetë grekët apo emigrantët paguajnë sot 20%-30% më shumë se një muaj më parë për të njëjtin mall. “Jam student në Athinë. Prindërit e mi çdo muaj më japin 300 euro për të përballuar shpenzimet. Vaji 5l siç e shikoni nga 13 euro ka shkuar 16 euro. Produktet janë shtrenjtuar shumë këto kohë. Qumështi nga 2 euro është ngritur në 2.36 euro . jeta po bëhet gjithmonë e më e shtrenjtë, madje kalon e rrogat e prindërve.. “
Italia është një tjetër vend I Bashkimit Europian që është goditur nga kriza. Produktet bazë të shportës kushtojnë më shumë sot për italianët, megjithëse konstatojmë se në krahasim me Shqipërinë çmimet atje janë më të lira. P.sh vaji italian i lule diellit në vendin tonë blihet me 370 lekë, ndërsa në Itali 2.19 euro ose 270 lekë, pra 100 lekë më pak. “Aktualisht në vendin ku unë jetoj në Itali ka një rritje çmimesh por është e përballueshme sepse flasim për një pagë e cila varion 1500-1700 euro. Ndërsa në bazë të bisedave me familjarë të mi në Shqipëri që flasin për një rritje çmimesh të produkteve e cila është kthyer në problematikë mendoj që edhe unë me pagën që kisha atje 50 000 mijë lekë do kisha këtë problem”.