Kryeministri Edi Rama duke marrë shembull nga situata në Ukrainë, ku prej 7 ditësh po sulmohet nga ushtria ruse, mori krahasime për situatën politike në vend. Ai theksoi se ndonëse lufta është larg nga vendi ynë, për nga sharjet dhe fyerjet, apo shpifjet, lufta duket se është në vendin tonë.
Po ashtu ai ironizoi dhe kandidatët e PD dhe të aleancës ‘Shtëpia e Lirisë’, se njërin e kanë sjellë vrima e bravës dhe tjetrin nga një copë e bishtit të varesë.
“Është me rëndësi që të gjithë ta kuptojmë dhe ju më të rinjtë ta kuptoni se politika nuk është diçka e keqe në vetvete. Politika dhe politikanët janë të ndryshme. Politikanët janë të kategorive të ndryshme. Siç ka politikanë të zotë, ka dhe të pazotë. Ka dhe politikanë të pandershëm, të korruptuar, gënjeshtar. Por kjo se bën politikën diçka të keqe. Politika është e mirë apo e keqe në varësi të duarve që bie. Vetë e drejta, vetë fjala ‘barazi’ s’do të kishte ndodhur po të mos ishte politika që ta sillte në mjedisin e bashkëjetesës së njerëzve. Politika i bën dhe luftërat. Edhe ai agresion që shohim sot, dhe e kundërta e tij. Disa njerëz që e përdorin politikën për të shtypur njerëz, disa e përdorin politikën për të bërë të lirë njerëz. Politika i sjell përpara jush edhe Eriseldën dhe ata dy të tjerët që i keni këtu. Njërin e ka sjellë vrima e bravës dhe një tjetër që e kanë sjellë një copë e bishtit të varesë. Ata nuk i duhen Lushnjës, persona të identifikuar dhe të lidhure me atë lloj politike që është dasi, helm, gjithçka por jo frymëzim. Të gjitha këto Eriselda i ka në natyrën e vetë, por të gjitha këto janë të natyrshme për ne. Po i kthehem asaj pjesë ku foli për një kulturë tjetër Bushati. Unë do thoja më shumë, copë, për një politikë të bashkimit. Se ça do ndajmë ne këtu? Ndarjen në qeveri dhe opozitë e bën një ndeshje, që është dita e zgjedhjeve. Por nuk mund të jetojmë të ndarë çdo ditë. Lufta është gjetkë, por po të dëgjosh mënyrën se si shahet këtu dhe se si sulmohet e shpifet këtu, duket se lufta është këtu. Këtë se bën politika, por njerëz të caktuar që tani më i sheh i madh dhe i vogël që janë aty për interes personal. janë të dy njësoj. Njëri që do medoemos të kthehet dhe tjetri që mos të iki. Hall i madh!”, tha Rama.