25 vite më parë u vendos në Shqipëri Prezenca e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka teksa ka kujtuar 25 vjetorin e vendosjes së Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, vlerësoi rolin e saj në transformim dhe mbështetjen e vlefshme në disa reforma, sikurndër mbështetjen në luftën kundër korrupsionit dhe ngritjen e kapaciteteve në të gjitha fushat.
“Një çerek shekulli në të cilin Shqipëria ka evoluar nga anarkia e vitit 1997 në një vend që mbajti një kryesi të suksesshme të OSBE-së dhe aktualisht qëndron në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Ministrja vuri në dukje se Shqipëria i është mirënjohëse OSBE-së për rolin e saj në këtë transformim dhe mbështetjen e vlefshme për reformën ligjore, zgjedhore, administrative dhe pronësore si dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe ngritjen e kapaciteteve në të gjitha fushat.
“E gëzuar që kjo traditë e shkëlqyer bashkëpunimi po vazhdon nën drejtimin e ambasadorit Vincenzo Del Monaco, i cili po shkon përtej thirrjes së detyrës për të mbështetur prioritetet e përbashkëta, si gratë, paqen dhe Sigurinë“, tha ministrja.
Shqipëria u bë pjesë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) – (në atë kohë CSCE) gjatë procesit të Këshillit Ministror të Berlinit (19-20 qershor 1991).
Akti Përfundimtar i Helsinkit u nënshkrua në 16 shtator 1991 nga autoritetet shqiptare, i ndjekur nga nënshkrimi i Kartës së Parisit për një Evropë të Re, më 17 shtator 1991. Ky moment shënoi një ndryshim thelbësor në rrjedhën e politikës së jashtme shqiptare, e cila do të çlironte Shqipërinë nga izolimi ndërkombëtar dhe afrimin e saj më pranë komunitetit Euro-Atlantik, duke ndarë parimet dhe vlerat e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Aderimi i Shqipërisë në OSBE u shoqërua me reforma të thella ligjore në lidhje me të drejtat e njeriut. Rrethanat që i mundësuan Shqipërisë hyrjen në OSBE, përfshinin lëvizjen demokratike të dhjetorit 1990, zgjedhjet e para pluraliste dhe miratimin e Paketës së Përkohshme Kushtetuese, më 29 prill 1991. Kjo Paketë përfshinte dispozita që pranonin pluralizmin politik dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Në 1997, Këshilli i Përhershëm vendosi, me kërkesën e Qeverisë shqiptare, të dërgojë një Prezencë të OSBE-së në Shqipëri për të ndihmuar në kapërcimin e krizave politike dhe për ta çuar vendin në zgjedhje të përgjithshme, në përputhje me angazhimet e OSBE-së.