Në studion e “Quo Vadis”, deputeti Edi Paloka kujtoi 9 shtatorin, datë kur Lulzim Basha zgjodhi të përjashtonte Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, pasi ish-kryeministri u shpall “non grata” nga SHBA.
Duke e cilësuar këtë vendim, një goditje të fortë, Paloka u shpreh se nuk e kishte pritur në asnjë moment që Basha të ndërmerrte këtë lëvizje.
“9 shtatori ishte një goditje e fortë, kjo e krijuar me vetëdije të plotë nga Basha, duke u nisur nga një bisedë që pata privatisht pas shpalljes non grata të Sali Berishës.
I kam thënë se kjo nuk është kundër Sali Berishës, por bëhet kundër teje. Berisha në njëfarë mënyre ishte shumë inaktiv për ta goditur në atë moment. 8 vite qeverisje, Berisha ishte më pro amerikanëve.
Duke i rënë Berishës, figurës më të fortë të PD, thjesht kërkonin që të na e ulnin kokën neve. Nuk e kishte konsultuar me asnjeri vendimin. Unë për herë të parë m’u duk vetja si i paaftë.
Kam pasur nuhatje për lëvizje të ndryshme. Këtë herë nuk e kam pritur realisht fare që do të kishte një reagim të tillë nga Basha, deri në minutën e fundit.