Pikërisht pas një feste të madhe bardheblu, befas, Lionel Messi ngriti një intrigë që shkakton mijëra interpretime. “Pas Kupës së Botës do të rimendoj shumë gjëra”, – tha Leo. Dhe njerëzve iu dha frerë të lirë për spekulime të llojit: A ishte hera e tij e fundit me kombëtaren në një ndeshje zyrtare për pikë, të luajtur me Argjentinën?

A mund të ndodhë që ai të mos luajë më për kualifikueset e Amerikës së Jugut? Pas Botërorit të Katarit, a do t’i përqendrohet vetëm karrierës me klubin? A do të largohet nga Parisi, ku e fishkëllyen së fundi për t’u kthyer te Barcelona? Apo do të kthehet te Newell’s? A do të tërhiqet pas Kupës së Botës?

Messi buzëqeshi në “Bombonera”, në fitoren 3-0 kundër Venezuelës. Ai shënoi një gol, i 700-ti me fanellën numër 10. Leo gjithashtu e shijoi lojën dhe në fund festoi me tifozët, duke kënduar se Argjentina “është një ndjenjë…”

“10” bardhekaltër i dha forcë një konfirmimi që është intuituar: “Kam qenë i lumtur këtu për një kohë të gjatë, që para se të fitoja Kupën e Amerikës”. Më tej shpjegoi: “Është një grup i mrekullueshëm lojtarësh. Njerëzit ma tregojnë se më duan. Dhe unë iu jam mirënjohës. Sigurisht, gjithçka rrjedh më natyrshëm pasi jemi shpallur kampionë në Brazil”.

Në një moment Messi u pyet nëse kjo ishte ndeshja e tij e fundit në vend, para Kupës së Botës, apo nëse nuk do të luante më në Argjentinë në asnjë rrethanë. Aty lindi surpriza: “Unë jam duke menduar për atë që do të vijë tani, në Katar. Pas Kupës së Botës do të rimendoj shumë gjëra”.