I ashpër ka qenë deputeti Helidon Bushati në fjalën e tij në mbledhjen e grupit, ku tha se vetëm dorëheqja e Lulzim Bashës do të ndihmonte për të shkuar drejt zgjidhjes së krizës së brendshme.
“Kryetar është fatkeqësi që sot nuk jemi në shesh së bashku me protestuesit, por këtu duke u marrë me procedura partie. Në vend që të jemi atje për të qarë hallet e popullit jemi këtu duke qarë hallin e karrigeve tona. Është rasti i pare në historinë tonë që një kryetari partie i kërkohet dorëheqja nga grupi i i vet parlamentar. Me qëndrim tuaj po ndihmoni në agonizimin e partisë dhe po e bën PD të kthehet në objekt memesh për lidhjen e pakuptueshme tuajën me karrigen.
Një drejtues që ka humbur beteja dhe gara mund të fitoje betejën kryesore që është beteja për dinjitetin e emrit të tij nëpërmjet dorëheqjes. Dorëheqje, por duke ngelur pjesë e zgjidhjes së problemit. Sot jemi këtu për të dëgjuar një dhe vetëm një gjë…dorëheqjen.
Kryetar sot ke mundësi të humbësh karrigen e të fitosh dinjitetin dhe respektin e demokratëve. Është koha të mendojmë për bashkimin e demokratëve. Kjo nuk ndodh duke u mbërthyer pas karriges, kjo ndodh kur secili prej nesh bën hapa pas sakrifikon dhe mendon për ata demokratë ata shqiptarë që presin prej nesh. Sot PD, ka nevojë për një Kuvend Bashkimi.