Nga Artur Ajazi
Bashkimi apo ribashkimi, natyrisht do të ndodhë në Partinë Demokratike. Dhe kjo gjithmonë sipas 11 Dhjetorit, apo sipas Berishës. Ata që e quajnë dhe e trumbetojnë me të madhe, apo dhe japin definicione alarmi se “ajo parti rrezikon shpërbërjen” e kanë gabim. Kur largoi Lulin nga partia, Alibeajn nuk e diskuton dhe nuk e llogarit fare Sali Berisha. Ai do ti shkojë deri në fund misionit të tij, për ti patur të “ngrohta” krahët. Sepse edhe sikur për momentin DASh-i mbetet i “zënë” me problemin e Ukrainës,shumë shpejt do të merret seriozisht edhe meBallkanin dhe Shqipërinë. Jo me shqiptarët, por me dinosaurët e pangopur të politikës së shkuar dhe asaj të sotme, me ata që kanë ngjyer “gishtat” dhe futur dorën në para taksapaguesisht dhe “çorbë të prishur”, apo edhe me ata që kanë marrë peng vendin dhe të ardhmen e tij. Por le të kthehemi tek PD-ja, tek kjo parti që kurrë nuk u bë demokratike, që kurrë nuk u civilizua edhe pse i referohet vlerave perëndimore. Ajo shumë shpejt do të kthehet në “bazë”. Do të jetë partia e Sali Berishës. Do të jetë kupola dhe selia e tij, bunkeri dhe skuta e tij. Ai që mendon ndryshe, gabon. Edhe ai që mendon se “do të zgjedhë ndonjë emër të ri për ta përdorur” sërish gabon.
Sali Berisha e ka “sëmundje” të qenit kryetar brënda asaj partie, nuk e imagjonon kurrë vehten jashtë sa, jashtë vendimeve të saj, nuk e imagjonon dot kurrë që në postin e kreut të partisë tij, të shohë njeri tjetër, qoftë ky edhe më i binduri. Ai ka dëshirën ta drejtojë, manovrojë, dhe udhëzojë atë forcë politike sipas dokeve dhe zakoneve të tij, sipas mendimeve vendimarrëse që ai vlerëson se i bëjnë mirë interesave të tij. Askush nuk e mendon se, Sali Berisha i hyri kësaj “vallaje” për të nxjerrë kryetar partie Këlliçin apo Flamur Nokën, askush nuk e mendon se ai kërkon “ribashkimin dhe respektimin e votës së lirë” për të shpëtuar opozitën…Kjo duket sa qesharake aq edhe paradoksale. Ai shpesh merret me luftën e Ukrainës, pastaj merret me biografinë e bashistëve, dhe i rikthehet tezave të 11 Dhjetorit. Përfundimisht Partia Demokratike (si nëndetësja 105) po rikthehet në “bazë”, në origjinën e saj, nën pushtetin e Sali Berishës.
Ajo që ndodhi në selinë e saj me turmat e rithemeluesve, ishte nxitimi dhe paralajmërimi i fortë, që tu kujtonte atyre dhe ndonjë tjetri se, “kjo parti më përket mua o budallenj”. Ai gjithmonë e ka konsideruar (dhe vazhdon ta konsiderojë përmes propogandës që bëjnë ithtarët e tij) Partinë Demokratike, si një truall të çertifikuar që i përket vetëm atij. Madje fanatikët e tij, (sidomos ata më të mirëpaguarit) edhe sot trumbetojnë me seriozitet të madh para kamerave se “ai është heroi Shqipërisë, ai përmbysi komunizmin, ai është lideri përjetshëm, ai na sjell në pushtet”.Por më skandaloze,mbetet retorika e tyre, tek i sulen ambasadores Kim dhe SHBA-së, apo dhe ndonjë ambasadori tjetër, duke përmbushur kështu një mision të rrezikshëm në dëm të interesave tona kombëtare.
Zgjidhja e vetme mbetet, lënia në “rrjedhje të lirë” të varganit Berisha, deri në plotësimin e dëshirave të liderit historik, dhe pastaj le ti shohim se si do të jetë fati i vërtetë i një partie, që është pozicionuar në llogoren antiamerikane, edhe pse pretendon se “ka sjellë lirinë dhe demokracinë” në Shqipëri.