Verorja është një nga simbolet e Ditës së Verës dhe respektohet në shumë qytete.
Ajo vendoset mbrëmjen e 13 marsit, ose mëngjesin e 14 marsit dhe hiqet zakonisht më 22 mars. Disa thonë se duhet hequr kur shikon dallëndyshen e parë.
Verorja varet mbi degën e një trëndafili ose shege që ta marrë dallëndyshja dhe me të të ndërtojë folenë.
“Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë”, shkruan Konica në një tregim të quajtur “Dita e Verës”.