Polonia ka propozuar përdorimin e më shumë fondeve të kohezionit të BE-së për të ndihmuar ata që largohen nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, njoftoi sot Ministria e Fondeve dhe Politikave Rajonale.
Ministri i Financave dhe Politikave Rajonale në Poloni, Grzegorz Puda u takua të hënën me ministrat për Politikën e Kohezionit dhe Zhvillimin Rajonal të Vendeve të Grupit të Vishegradit (Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria) për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën, duke përfshirë ndihmën humanitare për refugjatët ukrainas.
Gjatë bisedimeve, Puda theksoi se vendi i tij deri më tani ka pranuar mbi 2 milionë refugjatë nga Ukraina.
“Kjo situatë kërkon veprim të menjëhershëm dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar njerëzit që vuajnë nga terrori rus. Por, natyrisht, kjo ndikon në financat tona publike dhe çështjen e shërbimeve publike të ofruara nga pushteti vendor, veçanërisht në rajonet kufitare, por edhe në qytetet e mëdha”, tha ai.
“Polonia ka propozuar mobilizimin e fondeve të reja nga buxheti i BE-së në mënyrë që të lejojë rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore të përballojë sfidat që lidhen me fluksin masiv të refugjatëve ukrainas”, tha Puda.