Inflacion në rritje, mungesë produktesh themelore, rënie e fuqisë blerëse… kjo është bota pas invazionit rus në Ukrainë. Rusia është superfuqi ushtarake, por është edhe një shtet i shtrirë në njëmbëdhjetë zona kohore, një eksportues i madh i hidrokarbureve dhe grurit, por edhe një ekonomi që importon në sasi të mëdha pothuajse gjithçka që sot ka vlerë në tregun botëror.
Thënë këtë nuk duhet shumë mend për ta kuptuar që çrregullimi në ekonominë globale, dhe rrjedhimisht edhe në ekonominë shqiptare, nuk do të jetë i vogël dhe as nuk do të jetë i përkohshëm. Dhe, nëse bota nuk ka fat, kjo krizë mund të jetë vetëm fillimi i diçka edhe më të keqe.
NATO nuk i ka shpallur luftë Rusisë dhe as Rusia NATO-së, por situata faktike është që sot në mes të NATO-së dhe Rusisë mungojnë vetëm betejat dhe sulmet e ndërsjella ushtarake. De fakto, sipas secilit përkufizim që ofrojnë teoritë e konfliktit, NATO dhe Rusia janë në gjendje lufte. Dhe lufta sjell vështirësi, sjell telashe, sjell uri e mungesa të tjera, sjell pasiguri, nxjerr në sipërfaqe përfitues dhe matrapazë që synojnë të pasurohen, dhe gjëra të tjera nga kutia e Pandorës.
Thënë këto, gjëra që shqiptarët, historikisht, i njohin dhe i dinë shumë mirë, nuk duhet hezituar që protestat e fundit në Tiranë t’i cilësojmë me emrin e vërtetë: ato janë të turpshme dhe të neveritshme.
Theksojmë: është tërësisht legjitime që, edhe në kohë krizash të mëdha, t’i bëhet presion qeverisë që të jetë më aktive, që të lodhë kokën dhe të përpiqet të gjejë lehtësime për situatat e reja të krijuara. Por, të organizosh protesta, të shfrytëzosh telashet që sjell lufta, dhe të ftosh njerëzit në revoltë qytetare kjo është pothuajse gati tradhti kombëtare.
Shqipëria është pjesë e NATO-së, ndërkaq NATO është de-fakto në luftë me Rusinë. Pra, edhe Shqipëria është pjesë e kësaj lufte. Jo, vetëm për shkak të obligimit që rrjedh nga aleanca, por edhe nga fakti që, nëse nuk mposhtet Putini në Ukrainë, shqiptarët në Ballkan do të jenë caku i toj i radhës. Për shqiptarët dhe Shqipërinë kjo luftë është jetike.
Sot, kudo në botën demokratike, liderët kanë vetëm një mesazh: liria ka çmim, mbrojtja e lirisë ka çmim. Pas tre dekadash rehatie dhe fokusi vetëm në zhvillim dhe të mira ekonomike, bota e lirë po ia rikujton vetes sakrificën e brezave të mëhershëm. Pra, nëse bota demokratike nuk shtrëngon rripin, nëse bota demokratike nuk heq dorë nga disa prej rehative të mëhershme rrezikon vetë ekzistencën e vet. Por, çfarë po ndodh në Tiranë? Në Tiranë është aktivizuar kolona e pestë e Putinit, një veprimtari e sofistikuar me qëllim të rrënimit të rendit demokratik.
Një ndërmarrje e ulët për të shfrytëzuar mjerimin e njerëzve në mënyrë që të arrihet një qëllim primitiv, ai i ardhjes me çdo kusht në pushtet. Dhe kjo është shumë e rrezikshme, material i gatshëm për makinerinë propagandistike të Rusisë, një brum për ta përdorur në vendet tjera dhe për ta gërryer NATO-në nga brenda.
Nuk do të habiteshim nëse dikush nga këta kuazi-revolucionarët të dalë dhe të thotë: çfarë na duhet NATO, apo të thotë që Shqipëria duhet të tërhiqet nga sanksionet kundër Rusisë. Nuk do të habiteshim fare, sepse shpirtrat e shitur nuk njohin limite.
Dhe mos u mashtroni, njëjtë si profiterët me mallra, ekzistojnë edhe profiterët që bëjnë tregti me shkronja. Këto ditë do të shihni jo pak njerëz që shkruajnë, duke thirrur argumente krejtësisht periferike, për t’i bërë qendrore në luftën për pushtet.
Por, fatmirësisht, sot ekziston mundësia që të bëhet një prerje e qartë pa përdorur fare argumente të botës së vogël shqiptare.
Mos dëgjoni asnjë dhe asgjë nga ato që thonë shqiptarët – të gjithë e kanë një qenë në këtë luftë (“a dog in this fight”). Kërkoni argumentet diku tjetër, jashtë hapësirës së kontaminuar shqiptare.
Kërkoni argumente në demonstrimin prej 30 mijë vetash në Berlin. Edhe atje janë rritur çmimet, por protesta ishte për tjetër gjë – për vetëdijesimin se çfarë çmimi do të paguhet po e fitojë Rusia këtë luftë.
Kërkoni argumentet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe atje janë rritur çmimet, por në politikën e super-polarizuar amerikane të dekadës së fundit, ky është momenti i vetëm ku unitetin politik e kombëtar e prishin veç zëra irracional si ai i Donald Trump.
Kërkoni argumente në Poloni. Atje, jo veç çmimet, atje është shkaktuar parehati nacionale nga vala milionëshe e refugjatëve ukrainas. Por, as politika e as qytetarët nuk kanë asnjë protestë tjetër, pos dëshirës për t’u përfshirë edhe më shumë. Siç ishte propozimi vullnetar që ta ndihmonin Ukrainën me avionë luftarakë.
Nuk u ndodhë shpesh vendeve të vogla si ky i joni të kenë platforma për të marrë anë. Dhe nuk është çmimi i naftës në pyetje, është çmimi i pozicionimit historik.
Por, me dhimbje, disa shqiptarë maliciozë, që kanë manipuluar disa të tjerë, duan ta kallin këtë shans në litrin e benzinës. /Albanianpost.com