Nga Mero Baze

Në vitet e fundit të jetës së saj, kur nëna ime nuk kishte mungesa financiare në shtëpi, pasi i ndihmoja unë, ishte shumë nervoze nga ideja që është mirë. E përballur dhe me shenjat e para të pleqërisë, ajo shpesh herë fuste mes dyshekut dhe krevatit, vaj, sapunë, ilaç rrobash, makarona, oriz e shqer dhe torturohej duke fjetur mbi to.

Ia pastroja herë pas here, derisa më në fund u përpoqa ta bind se kjo që bënte nuk ishte gjë e mirë, pasi kishim plot ushqime dhe nuk kishte pse t’i fshehte poshtë dyshekut.

E hutuar dhe e paqartë pse po e qortoja, mu përgjigj prerë:

-Pse kështu do jetë gjithmonë? Do vijë një ditë që nuk do ketë.

11 vjeç, së bashku me 4 motra dhe villain, të gjashtë jetimë kishin udhëtuar për tre ditë si refugjatë të luftës italo-greke deri në Vlorë me këmbë zbathur në dimër, duke ngrënë vetëm një vakt me bukë thatë. Dhe kurrë nuk i iku nga truri derisa vdiq, se ajo ditë do vinte prapë. Për fat nuk i erdhi sa ishte gjallë, por në fund të jetës ju kthye në makth.

Më kujtohen me humor ato skena, kur shikoj protestat që kanë mbërritur para se të mbërrij katastrofa reale nga lufta e Putinit. Protestat kanë mbërritur se është rritur çmimi i naftës!

Jo se është rritur buka, mielli, vaji dhe produkte të tjera të shportës, që kane nisur te ngrihen pak nga pak prej muajsh nga atmosfera e luftës. Për to askush nuk u kujtua, derisa befas këta që kanë vetura, u kujtuan se nafta kaloi 2 mijë lekë. Kjo është protestë nga prekja e standardit të jetës dhe është ende lajm i mirë.

Qeveria ka prezantuar një paketë masash në kuadrin e asaj që e quan “rezistencë sociale”, për të përballuar efektet e luftës së Putinit në Shqipëri. E kanë bërë dhe shumë vende të tjera, në varësi të problemeve që kanë.

Kryeministri Rama po përpiqet të shkëpusë pak nga pak ndikimin e protestave tek vendimmarrja e tij lidhur me rezistencën sociale, pasi nxitoi që mori nje vendim për të kontrolluar dhunshëm çmimin e naftës. Dukej se kishte ndikim psikologjik nga protesta. Në fakt ishte një vendim i gabuar, pasi ushqen idenë që kur të cenohet standardi i jetës nga një luftë, mund të fitosh standardin ende pa ardh lufta. Kjo nuk mund të ndodhë dhe qeveria duhet të shkëpusë emocionet që k, nga protesta që kërkojnë të ruajnë standardin e jetesës sikur të jemi në paqe, nga protestat për mbijetesë për shkak të lufts.

Aktualisht ne jemi nën panikun e mungesave financiare dhe kjo betejë përballohet duke garantuar të varfrit dhe të pamundurit, që ushqimet bazë të mbijetesës nuk do të mungojnë.

Ndaj mendoj që është mirë akoma që kemi protesta për prekje standardi dhe protesta politike, dhe jo protesta që vijën nga arritja e kufirit të mbijetesës. Protestat për prekje të standardit të jetës janë protesta normale në shoqëritë e lira. Protestat për mbijetesë shkaktuar nga luftërat janë të rralla, pasi njerëzit që kanë problem mbijetesën në luftëra nuk kanë shumë kohë të shërbejnë si dekor protestash.

Nëna Liza është shembulli pozitiv për ta ilustruar përse protestohet. Ajo sapo ka përfunduar një betejë “legjitime” dhëmbë për dhëmb me policinë për të mbrojtur truallin ku ka bërë shtëpinë dhe kërkon që përveç shtëpisë së re që do t’i japin, t’i japin dhe të drejta më shumë. Është një protestë që provon që ajo do të ruajë standardin që ka arritur duke ndërtuar mbi pronën e një pronari dhe që ky shtet e ka legjitimuar. Por kur e shikoj dhe tek kjo protestë, pastaj e kuptoj që protesta nuk është për mbijetesë, por si një betejë permanente ndaj qeverisë që i preku standardin tek shtëpia. Dhe ky është akoma lajm i mirë.

Kur Serbia si një vend pro rus kokë e këmbë, del në rrugë për të mbështetur Putinin, ti e kupton që është një vend që kërkon të ruajë standardin e miqësisë me fashizmin rus, kundër një populli që është viktimë. Kur qeveria serbe është e dyzuar, duke u bashkuar me Perëndimin kundër agresionit, por duke mos u bashkuar për sanksionet, ne e kuptojmë se ideja e “Ballkanit të Hapur” vdes nga një luftë pak më tutje nesh.

Por kur falë këtij projekti të brishtë, që as është ngjallur, as ka vdekur, Serbia respekton kuotat e eksportit të grupit, të kontraktuar me Shqipërinë, e kupton se akoma nuk kemi arritur fundin dhe protestat kundër “Ballkanit të Hapur” janë akoma luks.

E sigurtë është se këta që sillen të alarmuar që nuk udhëtojnë dot shumë me vetura, që nuk do kenë energji sa duhet në vazhdim, që mund të përballen me mbyllje vende punësh etj, janë njerëz që përpiqen të na mbushin mendjen, se po të ishin të tjerë në pushtet, këto gjërat nuk do të ndodhnin. Siç thoshin kur nisi pandemia apo kur ra tërmeti. Kjo tregon se ata kanë kohë ende të sillen sikur nuk ka ndodhur gjë dhe nuk po e ndjejnë luftën.

Në fakt uroj që të mos arrijmë tek pika kur do na duhet të mbijetojmë, se aty nuk do kemi fuqi për protesta. Tani mund të flemë ende mbi një dyshek me gunga si nëna ime e panikosur se “do vinte një ditë e keqe”, të cilës pleqëria ja kishte zhbërë aftësitë normale mendore dhe i kishte lënë vetëm instinktin e mbijetesës.

Pak a shumë siç i ka mbet Saliut vetëm instinkti i mbijetesës ne pushtet. Por më e keqja do të jetë kur të flemë duke ëndërruar të kemi diçka poshtë dyshekut. Kjo që shikojmë është një betejë fals, me një luftë që akoma nuk ka mbërritur.