Pak ditë para Kongresit të Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm i saj Damian Gjiknuri ka bërë të ditur disa nga temat që do të trajtohen.
Në një intervistë për Top News, Gjiknuri nënvizon se Kongresi do të miratojë jo vetëm ndryshimet në Statut për riorganizimin e ri të partisë, por do të trajtojë dhe disa nga sfidat e reja me të cilat përballet vendi.
“Unë them se ka disa arsye se përse PS po e bën këtë Kongres. Së pari është një vendimmarrje në vazhdim të vendimeve që ka marrë Asambleja e PS në shtator që Kongresi i partisë do të miratojë ndryshimet në Statutin e PS, gjithmonë që i përshtaten organizimit dhe objektivave të saj sa i përket aspektit elektoral edhe organizativ. Së dyti natyrshëm ka tema të karakterit politik që kryetari i PS dhe partia do t’i trajtojë dhe t’i marrë në konsideratë për t’i trajtuar në gjithë vendimmarrjen e saj në periudhën e mbetur dhe këtu kemi të bëjmë me sfidat që ka qeverisja, me disa nga çështjet që lidhen siç janë aspekte që kanë ndikuar nga kriza ndërkombëtare e çmimeve dhe efekti që kanë ato mbi popullatën. Natyrshëm qeverisja këtë e ka në vëmendje dhe është një çështje që e ka në fokus. Një tjetër çështje e rëndësishme është dhe rezultati nga konsultimet publike që ka bërë qeveria, pra nëpërmjet procesit të anketimit dhe formularëve që ka dërguar qeveria. Kjo do të kthehet në një burim frymëzues dhe për disa politika të ardhshme të qeverisë për t’i trajtuar duke marrë në konsideratë edhe opinionet e qytetarëve shqiptarë. Një temë e rëndësishme do të jetë dhe votëbesimi për Sekretariatin dhe disa ndryshime të tjera të karakterit organizativ”, tha Gjiknuri.
I pyetur nëse pjesë e diskutimit të Kongresit do të jenë dhe ndryshimet në qeveri, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri tha: “Jo kjo nuk është një temë e Kongresit. Rikompozimi i qeverisë është një kompetencë e kryeministrit. Ai në çdo kohë e ka këtë të drejtë, është një e drejtë kushtetuese. Kongresi merret me aspektin programor, politik e organizativ të PS ku natyrshëm çështjet që do të trajtohen aty do të jenë frymëzuese për politikat qeveritare sepse në fund të fundit PS është është në pushtet dhe politikat e saj bazuar dhe në konsultimet me njerëzit janë ato të cilat përkthehen në politika publike sa i përket qeverisjes së vendit”, nënvizoi Gjiknuri.