Nga Mero Baze
Serbia iu bashkua 141 shteteve që votuan në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të dënuar pushtimin e Ukrainës “në formën më të ashpër të mundshme”. Tri ditë më pare, Serbia ishte në një listë me Bjellorusinë, Korenë e Veriut, Sirinë dhe Eritrenë, duke mos ju bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa sot ka bërë një kapërcim domethënës, duke tejkaluar dhe vendet që abstenuan.
Është e qartë se vendimi është marrë nën presionin e pamëshirshëm të diplomacisë perëndimore. Ajo që binte në sy këto dy ditët e fundit, ishte se dhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian, por dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk po e dënonin verbalisht hezitimin e Serbisë për të mos iu bashkuar Perëndimit kundër Rusisë.
Ndërsa flisnin me tone të egra ndaj Bjellorusisë dhe madje dhe atyre që abstenonin, ata kursyen në fjalorin e tyre sulmin ndaj Serbisë. Dhe kjo po i nervozonte të gjithë.
Shenjat e para të lëkundjes u panë kur vetë Aleksandër Vuçiç filloi të bënte viktimën, duke bërë deklarata të tipit “për tri ditë jamë thinjur sa për dhjet vite”, si për të paralajmëruar opinionin e brendshëm në Serbi, i cili është mbi 70 përqind me Rusinë, se ishte nën një presion të madh.
Me sa duket strategjia e Perëndimit ka qenë për të luftuar deri në fund për ta marrë Serbinë në anën e tyre, dhe jo për ta lënë peng të Rusisë.
Shtypi perëndimor, ndërkohë e agresoi rëndë Beogradin, duke i bërë të qartë mbylljen e përhershme të dyerve në BE dhe rajon, duke bërë fakt të kryer bllokimin e çdo iniciative rajonale apo europiane të bashkëpunimit me Serbinë.
Një tjetër faktor që ka ndikuar janë dhe raportet e këqija personale të Aleksandër Vuçiç me Putinin. Kreu i Kremlinit e ka parë atë vazhdimisht si një “servil” të Perëndimit dhe një udhëheqës që nuk mund t’i besonte partneritetin me Rusinë.
Vetë Vuçiç ka pasur marrëdhënie shumë herë më të mira me presidentin e Kinës se sa me atë të Rusisë, dhe gjithçka ka nisur nga fakti që Rusia nuk e ka gëlltur dot që Beogradi dorëzoi Sllobodan Milosheviçin në duart e Gjykatës së Hagës, asaj Gjykate që po bën gati dosjen për Putinin.
E vetmja gjë që e mbante të lidhur Beogradin zyrtar me Rusinë, është shumica e serbëve që janë me të vërtetë me Rusinë. Dhe ky është një problem, me të cilin ata do të ndeshen në ditët në vijim dhe në zgjedhjet e afërta, të cilat për fat nuk është se zhvillohen në një mjedis shumë konkurrues.
Ky nuk është ndonjë lajm i mirë për Kosovën dhe shqiptarët, pasi një Beograd pro rus në këto momente, ishte vërtet një turp për Ballkanin, por një fat për Kosovën.
Vuçiç dhe Serbia në tërësi janë të rrezikshëm për Kosovën si pro-perëndimorë, jo si pro rusë. Por nga ana tjetër, ky është një sinjal pozitiv për rajonin, pasi frenon sinjalet ruse për trazira në Ballkan, sidomos në Bosnjë me Dodikun.
Është e qartë që Aleksandër Vuçiç ka bërë një zgjedhje të vështirë dhe nuk është nga ato zgjedhje që gëzon popullin e tij, por në fakt është nga ato zgjedhje që i bën mirë popullit të tij.
Duket që është një vendim i marrë “me shpirt në dhëmbë”, duke ju bashkuar Perëndimit dhe gjithë botës kundër Putinit. Dhe nuk eshte vetem Serbia.
Bashkë me Serbinë, sot Putini ka humbur dhe Kinën. Është fillimi i një rrokullime.
I vetmi lajm i mirë këtu është se Serbia ka kuptuar kush e fiton këtë betejë. Dhe kur ata e kuptojnë kush e fiton betejën, kanë dhënë prova që shesin dhe të zotin e shtëpisë, e jo më Putinin. Me siguri Milosheviçi po rrotullohet aty ku është.