Nga Ylli Pata
Kanë kaluar 24 orë nga hedhja në erë e një ndërtese në qendër të qytetit të Shkodrës, e cila është një nga ndërtesat më të vjetra e historike të qytetit.
I quajturi gjithmonë si “Gastranomi”, ajo ndërtesë është pronë e familjes Bushati, përkatësisht njërës prej degëzimeve të këtij mbiemri mjaft të famshëm në Shkodër, ku ka shumë “barqe” e fise.
Ekzaktësisht, ajo është pronë e Xhemal Bushatit, dhe e familjes së tij. Bushati, ishte më 6 mars kandidati i Partisë Demokratike në Shkodër, si dhe u identifikua si përkrahës i PD-së zyrtare që deri dje drejtohej nga Lulzim Basha.
Gjatë fushatës për bashkinë e Shkodrës, pala e foltores që arriti të fitojë dhe PD pati një përplasje të madhe, që shkoi deri në sharje, sulme e kërcënime.
Këtë e ka deklaruar si kryetari i PD-së së Shkodrës, Xhevdet Amuli, por edhe kandidati për kreun e bashkisë, Xhemal Bushati.
Dy ditë më parë, në selinë e PD-së së Shkodrës, disa punonjës së bashkisë, kanë shkuar dhe ngjitur një poster të Sali Berishës, tek dera kryesore e degës, kur ajo ka qenë e mbyllur. Me një fjalë, dega e PD-së, ka qenë në një linjë me qendrën, e cila nuk lejoi Sali Berishën që të kthehet për të kandiduar për kryetar.
Ngjarja ka ndodhur thuajse njëkohësisht me “vizitën” e Sali Berishës në selinë e PD-së dhe përplasjen e tij me kryetarin e komanduar, Enkelejd Alibeaj.
Pikërisht pak orë pas kësaj ngjarjeje ka ndodhur shpërthimi i tritolit në pronën e njeriut më të rëndësishëm të Partisë Demokratike në Shkodër, i cili një javë më parë kundërshtoi dorëheqjen e Bashës, e publikisht akuzoi struktura të ngritura nga Voltana Ademi dhe administratën e qeverisë, që e kanë sulmuar PD-në gjatë fushatës së 6 marsit.
Vendi ku ka shpërthyer tritoli, është në qendër të Shkodrës, pak hapa me bashkinë, e përballë selisë së prefekturës, 500 metra nga Gjykata e Rrethit. Policia e shtetit, në një komunikatë me dy rreshta nuk thotë asgjë mbi ngjarjen, edhe pse ajo është shumë serioze.
“Rreth orës 02:20, në derën e supermarketit në pronësi të shtetasit F.M. në rrugën “Bujar Bishanaku” si dhe në derën e një biznesi tjetër privat butik rrobash në pronësi të shtetasit Xh.B. në rrugën “28 Nentori”, është vendosur lëndë plasëse dhe si pasojë e shpërthimit të tyre kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet duke administruar çdo provë dhe duke vlerësuar çdo informacion, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjeve, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, në disa medja e rrjete të lidhura me qatqe politike po flitet sikur ngjarjet janë të lidhura me konflikte apo “premtime të parealizuara elektorale”.
Xhemal Bushati, është një militant e përkrahës i PD-së që prej 1990-s, së bashku me familjen e tij, por nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i lartë që të ketë pasur poste qeveritare.
Familja e tij është marrë me tregti që me rënien e komunizmit, duke qenë një nga bizneset e vogla me më shumë punë, e ku ishin aktivizuar thuajse të gjithë pjesëtarët e familjes. Edhe pse një mbështetës i flaktë i PD-së, Xhemal Bushati, ka qenë gjithmonë një qytetar i edukuar që asnjëherë nuk është përplasur për punë partie apo përkatësie politike.
Gjatë mandatit të parë të Voltana Ademit, pra viteve 2015-2019, Xhemal Bushati ka qenë kryetar i këshillit bashkiak të Shkodrës. Nëse ka krijuar përplasje gjatë kësaj pune, është fakt se ai nuk ka lejuar dhënien e lejeve apo koncensioneve për grupe të rëndësishme kriminale. Është fakt i njohur, qëndrimet edhe publike të tij për këtë çështje gjatë kohës kur drejtoi këshillin.
Prona e tij historike në mes të Shkodrës, prej kohësh nuk administrohej nga familja Bushati, pasi i ishte dhënë me qira një prej rrjetit të njohur të shitjes së veshjeve në Shqipëri, që përfaqëson një kompani të huaj.
Logjikisht, ai që e ka vënë nuk e ka pasur me kompaninë e njohur, e cila është shumëkombëshe dhe nuk ka si të sulmohet në Shkodër, e as me pronën, e cila ka të paktën 100 vjet e ndërtuar dhe është pjesë e korpusit muzeal të shëtitores qëndrore të qytetit.
Arsyeja e vetme e atij sulmi, është pikërisht mesazhi ndaj Xhemal Bushatit, i cili kohët e fundit ka mbajtur qëndrime të qarta politike, të cilat kanë qenë në krah të kundërt me qëndrimet e “Shtëpisë së Lirisë”, Foltores dhe Sali Berishës…