Nga Jakin Marena

Sali Berisha aq deshi, sa të ‘fuste’ në dorë një gjysmë dokumenti të Gjykatës së Tiranës që “certifikonte” kuvendin e tij kombëtar të 11 dhjetorit 2021, dhe e ndali vrapin në selinë e PD.

Me sa duket i ishte kthyer në obsesion në gjë e tillë, pasi nga padurimi luajti para shqiptarëve atë skenë të turpshme më 8 janar të këtij viti, kur i “armatosur” me varre, qysqi dhe mjete të tjera rrethanore tentoi ta marrë me forcë selinë e PD buzë Lanës, për të realizuar pushtimin e tij të dhunshëm dhe treguar se ai është zot i shtëpisë së demokratëve.

Por teksa ndeshi në dyert dhe dritaret e blinduara nga Basha, por dhe gazin lotsjellës që dilte nga selia ku ishin ngujuar lidershipi zyrtar i PD me në krye Bashën, Berisha shtoi rëndshëm dhunën për të pushtuar selinë, duke bërë që policia të gjendej aty në thirrjen më të parë të drejtuesve demokratë që po zhvillonin mbledhje në seli, e cila ndërhyri dhe shpërndau turmën. Por pas mbeti armiqësia e thellë mes demokratëve që u reflektua dhe po reflektohet dukshëm dhe tani.

U desh dekretimi i zgjedhjeve nga aleati i tij në hall Presidenti Ilir Meta, që më në fund Basha të mbetej në “kurthin” e ngritur nga dyshja e dinozaurëve politikë, për të rënë përfundimisht në nivelet më të ulta të përkrahjes politike, teksa me 6 mars në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, PD zyrtare të marrë një mbështetje në kufijtë e 13 përqindshit dhe partia më e madhe opozitare të kalonte në vendin e tretë të renditjes së partive politike në Shqipëri.

“Shtëpia e Lirisë”, një bashkim i panatyrshëm i kandidatëve të Berishës dhe demokratëve të zhgënjyer nga Basha, me siglën e LSI të Ilir Metës, një celulë anti-amerikane deri në atë kohë, papritmas ngjitet në vendin e dytë të renditjes së partive politike në Shqipëri, duke e kthyer anti-amerikanizmin në një institucion si subjekt politik.

Përfundimisht Basha u rrënua politikisht dhe teksa u përball dhe me mbështetësit e tij deri më 6 mars në mbledhjet e stërzgjatura të grupit parlamentar të PD, por dhe të kryesisë dhe të Kolegjit të Kryetarëve, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të kësaj partie, që e udhëheqi, ashtu me dualizëm me Berishën, për nëntë vite me radhë

Ndonëse i komanduar në krye të PD zyrtare u vu nënkryetari Enkelejd Alibeaj, zhvilloi dhe disa mbledhje të radhës ku u përball me kërkesën e deputetëve demokratë për bashkim me “Rithemelimin” e Berishës, duke e njohur atë si mazhorancë në PD, Alibeaj tentoi të qëndronte në koordinatat e kuvendit të 18 dhjetorit të PD zyrtare, dhe evidentuar nevojën e një Partie Demokratike pa persona “non grata” në lidershipin e saj.

Madje marrëdhëniet me SHBA dhe BE u përcaktuan si “vija të kuqe” që do të udhëhiqnin procesin e bashkimit, që për lidershipin zyrtar të PD, nënkuptohej të bëhej si një bashkim i drejtë, gradual dhe përmes një komisioni të përbashkët dialogimi apo negociimi.

Teksa Berisha heshte, duke u shprehur se “Rithemelimi” ishte fillimi dhe fundi i procesit të bashkimit, duke e trajtuar PD e lënë nga Basha si një minorancë, me të drejtën e përballjes për t’u involvuar në qeverisjen e kësaj partie vetëm përmes votës si demokratë të thjeshtë në Kuvendin e radhës më 30 prill, situata në PD hyri në një kaos të fortë.

Me sa duket Berisha e kishte të garantuar vendimin e gjykatës së Tiranës përmes gjykatësit, njeriun e tij, Agron Zhuri që do të certifikonte Kuvendin e 11 dhjetorit, i cili kishte marrë vendim për shkarkimin e Lulzim Bashë snga posti i kryetarit, e hodhi dhe në referendumin partia një javë më vonë, kishte marrë vendim për shkrirjen e strukturave dhe forumeve të PD të dala nga Kuvendi i korrikut të vitit të kaluar, me mbështetjen dhe të vetë atij, duke marrë dhe zyrtarisht vulën e PD.

Pavarësisht se vendimi i Zhurit ështe i goditshëm juridikisht, sikurse u godit me ankimimin në organet e drejtësisë nga Bardhi, dhe vetë gjyqtari ishte i bindur se kishte konflikt interesi duke dhënë dorëheqjen nga gjykimi, por që nuk u aprovua nga organet eprore të tij, Berisha filloi të sillet si kryetar i PD.

Ndonëse është thjeshtë një anëtar i “Rithemelimit”, dhe kryetar i këtij komisioni është deputeti Belind Këlliçi, Berisha realizoi sulmin e dytë ndaj selisë së PD, këtë radhë me sukses pasi nuk hasi në asnjë rezistencë nga mbështetësit e Bashës, të cilët ishin të përçarë por dhe të shokuar nga dorëheqja e kryetarit dhe vendimi i gjykatës së Tiranës.

Berisha, pa ia dhënë askush, madje as vota të cilën e evokon aq shumë si pjesa më e rëndësishme e zgjidhjes së krizës së lidershipit, zuri “kreun” e vendit duke u sjellë si kryetar i PD. Madje dhe duke bërë deklarata në emër të PD, duke dhënë urdhëra për zhbërjen e gjithçkaje që kishte realizuar Basha, që nga simbolet e PD që u rikthyen si të kohës kur vetë Berisha ishte zyrtarisht në krye të PD e deri tek heqja e blindimit dhe kamarave të sigurisë së vënë nga Basha për t’u mbrojtur nga intervenimi i dhunshëm i liderit historik.

Duke qënë se tashmë gjendet përballë mbështetësve të Bashës, por dhe të gjithë atyre figurave që ishin bashkuar me të për të dëbuar Lulzim Bashën si një humbës funksional i të gjitha zgjedhjeve përballë mazhorancës sociliaste të drejtuar nga Edi Rama, Sali Berisha, kreu i grupimit anti-Basha në PD dhe kandidati numër një për të marrë postin e kryetarit të demokratëve, ka nisur sërish “foltoret” në të gjithë vendin për të bindur demokratët se zgjedhja e tij në krye të kësaj partie nuk përbënte rrezik në udhën e opozitës drejt pretendimit për fitore dhe në veçanti në qëndrimin e aleatëve kundër rikthimit të së shkuarës dhe personave “non grata” në PD.

Berisha nuk rresht së deklaruari se SHBA e BE do ta pranojnë atë si kryetar të PD duke u vënë përballë faktit të kryer, teksa evokon kohën kur ishte i padëshirueshëm pas tragjedisë së marsit 1997, kur askush nuk e qaste dhe e takonte, por që në vitin 2005 arriti që të bashkonte forcat e të gjithë të djathtëve për të ardhur në pushtet, duke mundur Fatos Nanon me një rezultat të papritur.

Për hir të së vërtetës rezultati i asaj kohe, përpos përçarjes së PS, Ilir Meta kishte themeluar LSI-në dhe mori pesë mandate të “arta” deputeti, dhe Fatos Nano ia dha vetë një “dorë” ndihme, pasi nuk preferoi të nënshkruante marrëveshje me krerët e partive aleate, të cilat dolën me kandidatët e tyre në 100 zona të mazhoritarit duke marrë jo pak vota dhe duke e kaluar PS-në në vendin e dytë në shumë zona zgjedhore, aq sa arriti që Blerim Çela dhe Ilir Bano të vinin në Kuvend me 33 përqind të votave, vetëm disa vota para kandidatëve të PD. Ndikoi dhe premtimi i Berishës që në këmbim t’i jepte postin e Presidentit, por që në të vërtetë e preu në besë Nanon.

Ndërkohë që Berisha deklaron se SHBA e kishte shpallur person “non grata” familjarisht për shkak të lobimit te Xhorxh Sorosit, dhe evidenton faktin se PD është parti sovraniste në Shqipëri, nuk i kanë shpëtuar goditjes së tij as eksponentë të rëndësishëm të qeverisjes amerikane, më i godituri prej tyre sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Për të pasur situatën nën kontroll në të gjithë hapësirën e PD, Berisha shkriu departamentin e marrëdhënieve me mediat në PD, jo vetëm duke i larguar të gjithë nga puna, por dhe duke “pushtuar” dhe marrë nën administrim rrjetin social të kësaj partie, ku postimin e parë që bëri stafi i ri i vënë prej tij ishin artikujt e deklaratat kundër shefit të diplomacisë amerikane Blinken.

Duke parë mënyrën e sjelljes së Berishës ndaj të gjithë lidershipit të PD që ishte i vendosur për aleancë me SHBA-në dhe vijonin të qëndronin në mendimin se një person “non grata” nuk ka asnjë punë në PD aq më tepër në drejtimin e saj, ia vlen të nënvizojmë se qëllimi i liderit historik që në krye të herës kundër Bashës dhe realizimin të pushtimit të radhës të PD prej tij, ishte thjeshtë dhe vetëm për hallin e tij personal.

Berisha kërkon që ta ketë PD-në si mburojë përballë SHBA dhe BE, të cilët e kanë deklaruar disa herë përmes përfaqësuesve më të lartë se nuk do të kenë bashkëpunim me një PD të drejtuar nga persona të shpallur të padëshiruar prej tyre. Berisha po tenton që të jetë ai interlokutori i radhës në PD me aleatët, me hir ose me pahir, duke tentuar njëherësh të shfrytëzojë faktin se aleatët tanë do jenë të detyruar të komunikojnë me një përfaqësues të opozitës në Shqipëri. Kështu shpreson Berisha.

Situata rëndohet akoma më shumë, teksa Lulzim Basha, ish kryetari tashmë i PD, është zhdukur nga qarkullimi dhe bëhet i gjallë vetëm përmes ndonjë fotoje të postuar teksa takon mbështetës të tij demokratë nëpër kafe.

Madje po tentohet me të madhe nga tërë mbështetësit e Berishës që Basha të paraqitet si një ish lider që pasi humbi drejtimin e partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, e ka humbur me kontributin e vet PD-në për hir të së vërtetës pasi është një dembel funksional, ta paraqesë si një politikan që po kërkon të themelojë partinë e vet politike, një parti të re jashtë kontureve të PD, por të përbërë nga demokratë.

Berisha tenton madje ta bëjë dhe me “zyrë” Bashën, duke i dhënë formatin e një normaliteti për një lider politik, sikurse ndodh dhe në vende të tjera të demokratizuara, që kur humbet drejtimin e një partie, apo nuk përqaset me linjën politike të saj, të krijojë një formacion tjetër politik më vete.

Kjo do t’i voliste shumë Berishës, i cili pavarësisht thirrjeve që Basha dhe mbështetësit e tij të afrohen dhe të kandidojnë qoftë për kreun e PD qoftë për strukturat dhe forumet drejtuese të saj, e nga ana tjetër duke amplifikuar zërat që përhap vetë për krijimin e një partie të re politike nga Basha, tregon se është më i interesuar që ta ketë ish kryetarin jashtë PD.

Berishës i volit krijimi i një partie të re nga Basha, por po punon fort që të mos e shoqërojnë demokratët në këtë ndërmarrje politiuke, sikurse e cilëson ai. Ndaj bën thirrje për bashkim, duke tentuar që të bëhet një ndarje me sa më pak dëme anësore për PD e ripushtuar prej tij, sidomos pas vendimit të Gjykatës së Tiranës.

Eshtë një përpjekje pa sens e Berishës në të gjitha planet, pasi ai vërtetë mund ta “pushtojë” përfundimisht PD-në, të vendosë rregullat dhe autoritetin e tij mbi këtë parti, por ajo që mbetet pas është “karantinimi” i partisë më të madhe opozitare, dhe izolimi i saj jo vetëm nga SHBA dhe BE, por dhe nga vetë elektorati i kësaj partie dhe i djathtë në përgjithësi.

PD ka në rastin më të mirë rrotull 70 mijë anëtarë, ndërkohë që gama e mbështetjes që merr në çdo garë elektorale, lëviz në 500 deri në 650 mijë votues. Pra pjesa që pritet t’i largohet Berishës është shumë e shumë më e madhe se sa elektorati neto demokrat që ai ka në zotërim dhe që pritet ta qeverisë me dorë të hekurt.

Kjo situatë jo vetëm që nuk i garanton PD-së rolin e një opozite që pretendon për të ardhur në pushtet, por rrezikon të sjellë dhe uljen e kuotave të saj elektorale, deri në shkrirje. Dhe Berisha ashtu sikurse përmendet në librat e historisë si themelues e udhëheqës i partisë së parë opozitare, ashtu mund të marrë dhe “njollën” e liderit që e mbylli kapitullin e ekzistencës së kësaj partie, deri në shkrirje.

Mbetet të presim dhe të shohim nëse Berisha është i vendosur për të marrë vetë drejtimin e PD, apo do të lirojë “fushën” për të luajtur lojën e zgjedhjes së kryetarit të PD për kandidatë të tjerë. Ndonëse askush nuk e beson se dhe në këtë rast nuk do të punojë fort për të zgjedhur një përfaqësues të tijin në krye të PD, një njeri të bundur deri në përulje për ta përdorur për hallin që e ka zënë.

Pasi askush nuk e beson se lëvizjen disamujore nëpër rrethe me “foltoren” dhe angazhimin e tij për kapjen e PD ta ketë bërë thjeshtë e vetëm për një tekë të një plaku mistrec e të pandreqshëm. Nuk ka moshë për të ndërmarrë stërmundime të tilla pa asnjë përfitim. Koha do të tregojë se çfarë ka rezervuar Berisha për të ardhmen e PD, tashmë që e ka pushtuar plotësisht.