Të paktën 20 000 persona në qytetin italian të Firences dhe rreth 100 000 të tillë në të gjithë Evropën protestuan sot kundër luftës në Ukrainë.
Në Firence protesta u hap me një video të ish-presidentit të ndjerë të Parlamentit Evropian, David Sassoli, në një mesazh paqeje për Evropën dhe të paraprirë nga 17 kambana, një për çdo ditë lufte në Ukrainë.
Më pas u dëgjua edhe një apel i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenski.
“Kjo luftë nuk është vetëm kundër popullit tonë ukrainas, por është kundër vlerave tona, kundër mënyrës sonë të jetesës”, tha ai.
“Jam i bindur se do të përpiqeni ta ndaloni luftën siç po bën çdo ukrainas, ndihma për Ukrainën është e nevojshme, logjike dhe e natyrshme ashtu si për miliona njerëz në vendet demokratike”, theksoi ai.
“Forcat ruse kanë rrethuar qytetet ukrainase dhe duan t’i shkatërrojnë ato. Ata bombardojnë 24 orë në ditë, bombardojnë klinika, kisha dhe sheshe, që janë si tuajat. Imagjinoni qytete të tëra të bombarduara dhe të shkatërruara në vitin 2022, në Evropë”, shtoi Zelensky.