Kryeministri Edi Rama tha se, sot në Shqipëri operojnë dy nga kompanitë më të mëdha të botës që nuk kanë lidhje me pushtetarët dhe kanë një nga zbulimet më të rëndësishme të një sasie të madhe gazi.
Në një intervistë televizive, Rama theksoi se”nafta në Shqipëri ka qenë në duart e pushtetarëve. U bë një privatizim kriminal i pasurisë sonë. Qeveria përgjigjet për burimet dhe sot ne kemi në terren 2 kompanitë më të mëdha të botës që nuk kanë lidhje me pushtetarët dhe kemi një nga zbulimet më të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, që është një sasi e madhe gazi”.
Sipas tij, qeveria ka riparë të gjitha marrëveshjet. “Të sotmet janë marrëveshje me shumë përfitim për shtetin shqiptar”, tha Rama.
Kryeministri vuri në dukje se, eksporti i naftës shqiptare ka rënë në mënyrë drastike sepse ka pasur një periudhë shumë të vështirë të investimeve në naftë. “Por sot kemi ndërhyrë në mënyrë të shëndetshme në sektorët e gazit dhe naftës”, u shpreh ai.
Lidhur me funksionimin e Bordit të Monitorimit për furnizuesit e karburanteve, Rama tha se “në kushtet e kapitalizmit, kontrolli mbi oreksin për fitim dhe krijimi i balancës është më i vështirë se në kushtet e një diktature. Nuk diskutohet që ata nuk janë të lumtur prandaj janë në atë kamp për të mos lejuar që interesat e privatëve të cenojnë atë të publikut”.
“Roli ynë nuk është t’u vëmë kufirin te thana. Ju thamë që nuk mund të vendosni çmimet që doni” u shpreh Kryeministri.