Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të ketë kompensim me lekë në dorë për rritjen e çmimeve të shportës për gati 500 mijë qytetarë për përballimin e situatës nga efektet e krizës ndërkombëtare të prodhuar nga lufta në Ukrainë.

Gjatë një takimi me punonjës në sektorë të ndryshëm për paketën e rezistencës sociale Rama tha se, paketa kompenson rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, familjet në skemën e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar; ofron mbështetje për fermerët dhe bizneset e vogla, si dhe financon mburojën e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.

Qeveria do të japë 3 mijë lekë, për 3 muaj rresht për pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, si dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.

“Kemi vijuar me kalkulimet dhe do të kalojmë shifrën e 500 mijë përfituesve, do të kompensojmë me lekë në dorë rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra. Qeveria do të japë 3 mijë lekë, për 3 muaj rresht”, u shpreh Rama.

Rama tha se synimi është që këtyre kategorive të mos ju mungojë asnjë lek për të blerë ushqimet e shportës. Po ashtu qeveria do të derdhë menjëherë 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë dollarë për të indeksuar pensionet. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve. Kryeministri vuri në dukje se po ashtu janë pezulluar të gjitha tenderët për blerje pajisjesh dhe janë bllokuar disa investime. “Të gjithë funksionarët e shtetit do të paguajnë nga xhepi i tyre mbi 50 % të shpenzimeve për naftë“, tha Rama.

Nga ana tjetër do të ketë mbështetje për fermerët me naftë pa taksa. Mbështetja sipas Ramës, do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë dollarë, me një shtesë plus prej 5 milionë dollarë, e cila do të derdhet menjëherë. Rama tha se do të ofrohet me 2 muaj futja në fuqi e ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 40 mijë lekë dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 50 mijë lekë, si dhe uljen e taksës mbi pagat nga 150 deri në 200 mijë, që do të thotë, 56% e atyre që në Shqipëri jetojnë me punë dhe paguhen me pagë, paguajnë 0 taksë mbi pagën.

Po ashtu nga 1 prilli do të hyjë në fuqi ligji për pagën minimale, e cila do bëhet 32 mijë lekë. Rama tha se qeveria vendos menjëherë të shtojë 20 miliardë të tjera, 200 milionë dollarë, në financimin e mburojës së çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.