Segmenti i parë i bajpasit të Shkodrës ka përfunduar dhe është i hapur për lëvizjen e automjeteve.

Aksi është i pajisur me të gjithë elementët urbanë, trotuarë, korsi biçikletash, ndriçim dhe gjelbërim, duke shërbyer edhe si një pedonale për qytetarët shkodranë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky bajpas.

“Mirëmëngjes dhe me bajpasin më në fund të përfunduar të Shkodrës në segmentin e parë, ku si kudo u desh riparë krejt projekti që na lanë ata të cilëve ua “ka hangër dhia librat” ka kohë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Bajpasi i Shkodrës nis në hyrje të qytetit dhe përfundon në dalje të tij duke u lidhur me segmentin Shkodër-Hani i Hotit.

Ky segment shërben për përdoruesit e rrugës të cilët kanë destinacion Doganën e Hanit të Hotit si dhe të gjithë rrethinave të Malësisë së Madhe duke evituar në këtë mënyrë hyrjen në brendësi të qytetit të Shkodrës.