TIRANË- Kryeministri Edi Rama në takim me pensionistë për t’i shpjeguar pikat e Paketës së Rezistencës Sociale. Kreu i qeverisë tha se e ka paralajmëruar krizën më herët, por kjo deklaratë e tij u mor negativisht dhe u sulmua.
“Ka qenë pjesë e skenarit të luftës nga ana e Rusisë për të turbulluar tregun e energjisë, që kjo krizë ka nisur përpara. E kemi paralajmëruar fillimin e krizës disa muaj më parë, para se të merrte formën e plotë dhe kur fola për krizën që po jepte simptomat e para pati reagime negative që kjo është lojë, se s;ka krizë ndërkohë ne kishim filluar ta konstatonim se po rriteshin çmimet e energjisë në treg”, tha Rama.
Ai u ndal më së shumti te kriza energjetike ku paralajmëroi se do të ketë ndryshme në faturën e energjisë, ku do të vendoset çmimi real në bursë dhe diferencën që paguan shteti.
“Në faturë do të vendoset edhe çmimi real që të kuptoni se sa paguan shteti”, tha Rama.
Ai pati një koment edhe për protestën e qytetarëve që e quajti një trup kombëtar.
“E bëjnë Shqipërinë të njëjtin vend në NATO që proteston që në ditët e para për pasojat e luftës për çmimet. Turp kombëtar”, tha Rama.
Dy ditë më parë, kreu i qeverisë prezantoi planin me 7 pika, paketën e Rezistëncës Sociale kundër pasojave ekonomike që do të sjellë lufta. Kjo paketë, për kryeministrin, është tregues që qeveria nuk i braktis ato që kanë nevojë në ditë të vështira.
Paketa e Rezistencës Sociale me shtatë pika
1- 3.6 mld lekë ose 36 mln USD, për indeksimin e pensioneve. Përfitojnë 673.542 pensionistë.
2- Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës për 3 muaj me nga 3 mijë lekë. Bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra. Përfitojnë 434 mijë qytetarë: pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.
3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD e cila do të derdhet menjëherë.
4 – Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit.
5 – Afrojmë dy muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si edhe uljen e takses mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të vjetra. Këto masa lehtësuese do të reflektohen në pagat e prillit dhe prej tyre do të përfitojnë 360 mijë të punësuar. Numri i të punësuarve në Shqipëri që paguajnë zero taksë mbi pagën, arrin një shifër që s’e ka askush në rajon, 56%!
6 – Afrojmë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do të bëhet 320 mijë lekë të vjetra.
7 – Shtojmë me 20 miliardë lekë të reja ose 200 milionë USD, financimin e mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.