Kryeministri Edi Rama u takua sot me përfaqësues të biznesit të vogël, për të prezantuar Paketën e Rezistencës Sociale.

Kryeministri tha se:”Duhet të kemi parasysh që kjo rritje e befasishme e çmimeve ka ndodhur kudo, nuk ka lidhje me qeverinë këtu, por ka lidhje me luftën atje. Dhe nuk ka lidhje me qëndrimin e Shqipërisë ndaj luftës, sepse edhe vendet që nuk i kanë vendosur sanksione kanë të njëjtin problem. Edhe në Turqi që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, është dyfishuar në faturë çmimi i energjisë për të gjithë, me gjithë inflacionin e madh që Turqia ka prej disa kohësh. Po ashtu edhe Serbia ka të njëjtin problem me çmimet dhe me furnizmin. Serbia është një nga eksportuesit kryesor të drithrave në Europë dhe i bllokoi të gjitha eksportet për shkak të krizës.”

“Pra, është një krizë që ka goditur gjithë zinxhirët e ekonomisë që janë të lidhur gjithandej me njëri-tjetrin. Nuk funksionon kështu që pse nuk kemi mbjellur neve grurë vetë, nuk jemi më ne në atë ekonomi, në një Shqipëri e izoluar që sheh vetëm si të nxjerri bukën në vend” u shpreh Rama.