Në Rajonin Verior ka patur reshje dëbore dhe temperatura të ulëta por pavarësisht kushteve të motit qarkullimi për automjetet kryhet pa probleme.
Lajmi bëhet i ditur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar i cili thekson se në këtë Rajon është punuar për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës.
“Reshjet kanë pushuar në Rajonin Jugor dhe në Rajonin Qendror. Në Rajonin Verior ka pasur reshje dëbore shoqëruar me temperatura të ulëta. Në Valbonë, në Kukës-Bushtricë, Kukës-Ura e Zapodit, Kuben-Vasije qarkullimi kryhet pa probleme pasi është punuar me pastrimin dhe shpërndarjen e kripës”, bën të ditur ARRSH.
ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.
“Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes në lëvizje, sidomos gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore”, apelon ARRSH.