Në një konferencë për gazetarët, ajo shprehet se heqja e TVSH-së ndikon vetëm fitimin e tregtarëve.

“Unë e kam përsëritur disa herë që ne nuk do ndërhyjmë në TVSH-në e produkteve të shportës. Sidomos në kohë krizash është e vështirë që të ndërhysh në sistemin e taksimit. Çdo vend ka sistemin e vet të taksimit. Ju e dini se në vitin e kaluar morëm një vendim i cili prek pjesën më të madhe të bizneseve. Prek 95 mijë bizneseve të vogla, ku ne rritëm pragun e TVSH-së. Mund të marrim miellin, bukën. Nëse do i referohemi miellin, 90% e miellit që tregtohet në Shqipëri, është për konsum dhe shitet në furra buke. Është vetëm një 10% që shitet me kilogram. Çdo konsumator shqiptar, konsumon më shumë bukë, se sa miell.

Mielli që shitet në supermarket, tregtohet për gatime të ndryshme, por jo për bukë. Furrat e bukës, që blejnë gjithë miellin, janë 90% e tyre biznese të vogla që tregtojnë pa TVSH. Në një sistem taksash si Shqipëria, heqja e TVSH-së, nuk do ndikonte në konsumatorin final. Kështu mund të përmend edhe produkte të tjera të vogla. Unë e kam shpjeguar, se politikat e reduktimit të TVSH-së nuk kanë pasur impakt në çmim, por në fitimet e tregtarëve. Ky nuk është momenti që të shtojmë fitimet e tregtarëve. Është momenti të mbështesim konsumatorët në nevojë, të monitorojmë tregun që të mos ketë abuzime. Edhe ato konsumatorë që kanë mundësi të përballojnë një krizë, të mos paguajnë asnjë lek më shumë se sa ajo që dikton kriza globale” – tha Ibrahimaj.